E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Kuq e Zinjtë të pasfidueshëm, të hapen dosjet e spiunëve

“Votimi i fundit në Kuvendin e Shqipërisë për ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin tim nga posti i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë provoi publikisht aleancën e Partisë Demokratike me Vangjel Dulen dhe me Athinën”. Kështu ka deklaruar kreu i Aleancës kuq e Zi përpara Forumit Rinor të kësaj lëvizje. Në këtë kontekst ai është shprehur se votat me Athinën u bashkuan tre herë: një herë për kufirin ujor, pastaj për kombësinë dhe herën e tretë për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së.
 

Spahiu insistoi se 73 vota në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të kushtëzojnë sovranitetin. Në mungesën e demokracisë, vijoi ai, nacionalizmi është një kërcënim dhe pa nacionalizëm demokracia është në rrezik. “Lidershipi i krokodilit nuk sfidon dot Kuq e Zinjtë”, tha Spahiu i cili bëri thirrje për hapjen e dosjeve të politikanëve spiunë.

Më pas në aktivitet u prezantua nisma kryesore e muajve që do të pasojnë, që lidhet me prezantimin e "Kontratës Kuq e Zi" në çdo shtëpi shqiptari, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Kontrata Kuq e Zi është dokumenti i AK-së, ku janë pasqyruar prioritet kryesore të programit të Aleancës Kuq e Zi, prej të cilës rrjedhin edhe objektivat që do përmbushen nga kjo lëvizje popullore. Përmes informimit të çdo qytetari shqiptar për "Kontratën Kuq e Zi", AK-ja synon të arrijë të mbledhë rreth saj "1 milion aktivistë kuq e zi", në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Lugina e Preshevës dhe më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›