Berisha: Vendimi i PS-së për bojkotin, gabim i rëndë
Edhe pse seanca u kërkua nga opozita, u shpreh Berisha, deputetët nuk u lejuan të marrin pjesë. “Seanca për këtë qëllim e sjellë me kërkesë të opozitës, të cilën unë personalisht e vlerësoj si një e drejtë dhe përgjegjësi e saj. Mbi bazën e kësaj kërkesa, kryesia e Kuvendit vendosi, në ndryshim nga programi të thërrasë seancën e jashtëzakonshme të debatit për gjendjen në rrethin e Shkodrës dhe rrethinat e saj. Mirëpo me një vendim zhgënjyes politik ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme nuk u lejuan të marrin pjesë”, u shpreh Berisha para pak momentesh. Vendimin e opozitës për të vijuar bojkotin, kreu i qeverisë e vlerësoi si gabim shumë të rëndë, ndërsa ka akuzuar Partinë Socialiste se ka manipuluar me fatkeqësinë, që kryeministri Berisha ka këmbëngulur sërish se ishte fatkeqësi natyrore. “Manipulimi me fatkeqësinë, manipulimi me forcat madhore natyrore është politika më korruptive, më e gabuar dhe më e zhveshur nga çdo lloj morali”, vijoi. “Uroj që këtë orë që kanë mbetur të jenë orë reflektimi për opozitën për të marrë pjesë në Kuvend”, tha më tej Berisha, duke shtuar se opozita e ka vendin e saj në Kuvend dhe për këtë duhet të luaj rolin që ia kanë dhënë zgjedhësit. Për sa i përket nisjes së sezonit të ri parlamentar, Berisha tha se jemi të bindur se do të përmbushen të gjitha detyrimet.