E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, PLL: U sensibilizuam, por si gjithmonë në heshtje dhe pa bujë

Tiranë, 17 janar NOA Nënkryetari i Partisë Lëvizja
e Legalitetit, Murat Basha ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së
cilës u shpreh se PLL ka ndjekur me shqetësim situatën e rëndë që u krijua
rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës nga shkaqet natyrore duke shtuar se qeveria ka
qenë e angazhuar maksimalisht për përballimin e situatës.

Përkundrejt vështirësive të mëdha që u
krijuan në një territor të gjerë, u vu re një angazhim dhe përkushtim maksimal
i të gjitha strukturave qeverisëse për të përballuar dhe tejkaluar këtë
situatë.

PLL, si pjesë e koalicionit qeverisës,
falënderon qeverinë shqiptare dhe në veçanti Komitetin Ndërministror të Emergjencave
të drejtuar nga ministri Lulzim Basha, të cilët me përkushtim patriotik dhe
profesionalizëm të lartë përballuan këtë prag katastrofe tha Basha.

Nënkryetari i kësaj partie deklaroi gjithashtu
se drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PLL u angazhuan sinqerisht dhe
seriozisht, por si gjithmonë në heshtje dhe pa bujë.

Në kontrast me sensibilitetin dhe angazhimin
mbarëshqiptar për tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar në rrethin e
Shkodrës, bie në sy qëndrimi i turpshëm i këshilltarëve socialistë në Këshillin
Bashkiak të Tiranës, të cilët të urdhëruar nga Kryetari i tyre i cili është
edhe Kryetar i Bashkisë, kundërshtuan akordimin e një fondi ndihme të Bashkisë
së Tiranës për familjet e përmbytura ne veri te vendit.

Qëndrimi i këshilltarëve të PS është vazhdim i
politikës vetpërjashtuese të kësaj partie, e cila përkundrejt detyrimit për të
marrë pjesë dhe dhënë kontributin si opozitë në shpalosjen e alternativave apo
proceset integruese të vendit, ka zgjedhur rrugën e refuzimit dhe bojkotit ndaj
institucioneve, veprim i cili po e zhvlerëson përditë e më shumë në sytë e
shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar përfundoi Basha.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›