DR: Do angazhohemi për të vendosur frymën e re në të gjitha instancat shoqërore
Tiranë, 17 janar NOA Këshilli Qendror i Demokracisë
së Re deklaroi sot me anë të një komunikate për shtyp se angazhohet dhe ofron
zgjidhje konkrete për implementimin e shpejtë, pa ndërhyrje arbitrare të
Marrëveshjes së Ohrit, duke afatizuar aprovimin, kontrollin dhe përmirësimin e
ligjeve të aprovuara më parë, por edhe duke rivendosur frymën e saj në të
gjitha instancat shoqërore.
Demokracia e Re duke marrë parasysh
seriozitetin e situatës me të cilën ballafaqohen qytetarët e këtij shteti e
veçanërisht shqiptarët, duke qenë vrojtues aktiv, artikulues i drejtë kërkesave të qytetarëve dhe parti që nuk jep
vetëm konstatim, por dhe ofertë konkrete;
Duke marrë parasysh zhvendosjen e Qeverisë së
R.M. nga rruga e integrimit në NATO dhe UE;
Duke marrë parasysh idetë megalomane për
antikuizim; përpjekjen e Qeverisë për prishjen e ekuilibrave ndëretnik dhe
ndërfetar;
Duke marrë parasysh përpjekjet për ngacmimin e
plagëve nga konflikti i vitit 2001 me arrestimin e personave të përfshirë në
atë konflikt, mosrespektimin e ligjit për amnesti dhe procesuimin e katër
rasteve të Hagës, si dhe injorimin e skajshëm të kërkesave legjitime të ish
anëtarëve të UÇK-së për trajtim dinjitoz, të njëjtë me atë të pjesëtarëve të
forcave të armatosura dhe paramilitare, të angazhuara nga ana e qeverisë gjatë
konfliktit të vitit 2001.
Duke marrë parasysh aprovimin e ligjeve
diskriminuese ndaj shqiptarëve, ligje që nuk kursejnë as fëmijët e moshave
shkollore.
Duke marrë parasysh kollapsin ekonomik të vendit,
investimet joproduktive, por edhe ndarjen e padrejtë dhe monoetnike të buxhetit
të shtetit;
DR angazhohet dhe ofron zgjidhje konkrete për
implementimin e shpejtë, pa ndërhyrje arbitrare të Marrëveshjes së Ohrit, duke
afatizuar aprovimin, kontrollin dhe përmirësimin e ligjeve të aprovuara më
parë, por edhe duke rivendosur frymën e saj në të gjitha instancat shoqërore
thuhej në deklaratën e Këshilli Qendror të Demokracisë së Re.
DR angazhohet për ndarje proporcionale të
buxhetit të R.M. konform përqindjes etnike të bashkësive etnike, për investime
kapitale në infrastrukturë, shkolla, spitale, universitete në mënyrë të drejtë
dhe proporcionale, dhe për hapjen e zonave të lira ekonomike në rajonin e
qyteteve perëndimore të Maqedonisë.
Gjithashtu DR deklaroi se angazhohet për
marrjen e masave të shpejta dhe efektive që drejtpërdrejt do të përkrah
bizneset e vendit por edhe ato të huaja që të ngrihet niveli i investimeve për
reflektim të drejtpërdrejtë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe si ofertë
drejtpërdrejt fuqisë punëtore të pa angazhuar në Maqedoni, e veçanërisht të rinjve.
k.k/NOA