Berisha: Vera e 2010-ës, rekord pushuesish në brigjet shqiptare

Kryeministri flet për një sezon turistik të mrekullueshëm, ndërsa premton se për vitin e ardhshëm në buxhetin e shtetit do fuqizonen investimet për turizmin, për t’i dhënë një tjetër dimension zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, pasi parashikohet që në 2011-ën Shqipëria të vizitohet nga një numër akoma më i madh vizitorësh
Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi përsëri sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se Shqipëria është vizituar nga një numër rekord pushuesish, të cilët zgjodhën brigjet shqiptare për të kaluar pushimet e tyre. Sipas kryeministrit kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm, pasi turizmi është një nga degët kryesore të ekonomisë në vend. “Këtë vit, rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv. Por përpjekjet e bëra sigurisht kanë qenë të shumta. Kjo u arrit nga disa kritere, nga investimet e qeverisë në infrastrukturë dhe nga çmimet e arsyeshme që zonat bregdetare vunë në dispozicion të pushuesve. Ai theksoi se investimet në infrastrukturë i kalojnë 1 miliard euro nga Velipoja deri në Ksamil. Por përpjekjet e bëra sigurisht kanë qenë të shumta. Investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil. Këto investime ne tërësi në infrastrukturë tejkalojnë 1 miliard euro. Këtë vit, Shqipëria pret më shumë vizitorë se çka banorë të përhershëm dhe unë ju garantoj që kjo rritje nuk do të ketë të ndalur. Kjo ka shumë faktorë. Së pari, imazhi që po krijojmë në tërësinë e vet është shumë pozitiv, me disa përjashtime sigurisht. Por, një nga gjërat më të vlerësuara janë dhe çmimet e arsyeshme që kanë vendosur pronarët e hoteleve, apartamenteve dhe me këtë i japin një kontribut të madh vendit, pasi kanë bërë që qytetet tona të mbushen me vizitorë. Këtu ka ndikuar edhe ushqimi shumë i shijshëm”- u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se resurset buxhetore që pritet të pësojnë rritje nga turizmi i madh që u shënua këtë verë do ndikojnë direkt në buxhetin për vitin e ardhshëm. “Vendi po krijon imazh pozitiv. Turizmi është burimi pozitiv i të ardhurave për buxhetin e vitit 2011”- tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit kërkoi gjithashtu nga të gjitha ministritë të investojnë për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve turistike në vend. “Le të përpiqemi, pra që në këtë buxhet zërat për turizmin t’i fuqizojmë sa më shumë. Në këtë buxhet të parashikojmë përfundimin e të gjitha impianteve të përpunimit të ujërave, të cilat fatmirësisht janë në ndërtim e sipër, në të gjitha qendrat e mëdha turistike të vendit. Në këtë buxhet të parashikojmë të gjitha resurset për kompletimin përfundimtar të infrastrukturës, jo vetëm drejt zonave turistike, por gjithashtu edhe drejt parqeve arkeologjike, drejt zonave historike, në mënyrë që ky fluks i madh vizitorësh t’i gjejë sa më lehtë ato”- deklaroi ndër të tjera në mbledhjen javore te Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha.
Qeveria rrit me 3.5% përfitimin për personat që trajtohen me pagesë papunësie
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin “ për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia. Ky vendim rrit me 3,5 %, nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia, si një e ardhur bazë që siguron të paktën një nivel jetese minimal, në kuadër të indeksimit të çmimit të konsumit. Kjo e ardhur do të jetë 6565 (gjashtëmijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë në muaj. Bazuar mbi këtë nivel dhe kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përftimi mesatar shkon në rreth 8100 (tetëmijë e njëqind) lekë në muaj. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punës, çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta, zëri pagesa e papunësisë.
Kjo rritje do të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale të atyre që janë në proces trajtimi me pagesë papunësie, por edhe atyre që kanë hyrë së fundmi në këtë skemë mbështetjeje