E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletët e votimit digjen pas dekretit për datë e zgjedhjeve

Flet Klement Zguri, anëtari i KQZ-së

Institucioni i administrimit të zgjedhjeve shprehet se s’do presë pa fund negociatat e politikës, por do të marrë masa të menjëhershme për respektimin e ligjit dhe Kushtetutës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të presë pa fund negociatat e partive politike për djegien apo jo të fletëve të votimit. Anëtari i KQZ-së Klement Zguri deklaron se sapo të dalë dekreti i presidentit për datën e zgjedhjeve vendore, do të nisë puna për zbrazjen e kutive nga dokumentacioni i zgjedhjeve të kaluara.
“KQZ nuk donte të futej në konfliktin që ishte ndërmjet partive politike. Gjithsesi mendoj që elementi kohë ka efektin e vet në një proces zgjedhor. Jemi fare pranë daljes së dekretit të presidentit për zgjedhjet lokale dhe me daljen e tij KQZ duhet të ndërtojë një plan orientues të punëve sipas procedurave dhe afateve që ka një proces zgjedhor. Një ndër to është edhe përgatitja e infrastrukturës, logjistikës dhe kutitë e votimit janë pjesë e kësaj infrastrukturë. Dekreti është orientues që KQZ të fillojë në mënyrë intensive përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. është e pafalshme për ne në rast se procesi I ardhshëm do të çalojë apo do të vihet në rrezik qoftë dhe për këtë element”- u shpreh Zguri.
Ai vëren gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve priti gjatë për një marrëveshje mes partive politike, por tashme Kodi zgjedhor është i qartë se fletët dhe kundrafletët e votimit duhet të digjen.
“Mbas përfundimit të procesit zgjedhor, mbasi ka mbaruar edhe procesi i ankimimit KQZ hap kutinë e materialeve zgjedhore, nxjerr dokumentacionin i cili duhet të ruhet në arkivin e shtetit dhe pas kësaj, paralelisht djeg fletët e votimit së bashku me kundrafletët”, tha Zguri.
Lidhur me kërkesën e disa qytetareve për referendum për zgjidhjen e krizës politike është jokorrekte sipas Klement Zgurit që veçon mungesën e referencave politike në këtë kërkesë. “Nuk ka asnjë referencë ligjore. Po të shohësh termat brenda saj përmenden kriza politike, kriza ekonomike që janë të ulura këmbëkryq në familjet e shqiptarëve… ka terma edhe shumë të rëndë që situata mund të përkeqësohet dhe të dalë edhe jashtë kontrollit. Janë elementë të cilët nuk janë në fokus të punës së KQZ”- deklaroi ndër të tjera anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.
çështja e fletëve të votimit të zgjedhjeve të kaluara ka qenë një mollë sherri për mazhorancën dhe opozitën. Kërkesat e socialistëve për hapje të kutive të votimit janë vlerësuar nga shumica, mendimi i lirë i ekspertëve juridikë dhe opinioni ndërkombëtar si absurde dhe pa bazën e duhur ligjore. Me afrimin e zgjedhjeve vendore, bëhet gjithnjë e më i lakuar qëndrimi se PS dhe PD do shkojnë deri një konsensusi paraprak për mbylljen e kapitullit të stërzgjatur të zgjedhjeve të 2009-s dhe përgatitjen për procesin e vendoreve të 2011-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›