Berisha Vezhgim dixhital per rregullat e qarkullimit
Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim të veçantë Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilit (FIA), z. Jean Todt. Ky i fundit vuri në dukje se FIA është angazhuar në një fushatë sensibilizimi për mënjanimin e aksidenteve automobilistike, nga të cilat gjatë vitit 2012 kanë humbur jetën 1.5 milionë vetë dhe janë plagosur 50 milionë të tjerë. Nga ana e tij, kryeministri Berisha vuri në dukje se automobilizmi është nga sportet më të ndjekur në Shqipëri, ashtu siç është i njohur edhe emri i z. Todt si menaxher i përgjithshëm i Ferrarit, kur pati siguruar titullin e kampionit të Formula 1 në vitet 2000-2004. Shefi i ekzekutivit e siguroi z. Todt se qeveria po bën përpjekjet maksimale për mënjanimin e aksidenteve, nëpërmjet një përmirësimi rrënjësor të infrastrukturës rrugore, të futjes së vëzhgimit dixhital në respektimin e rregullave dhe rritjes së kërkesave ndaj drejtuesve të mjeteve.