Berisha: Virusi i korrupsionit ka infektuar universitetet
zirina llambroKritika të ashpra nga kreu i qeverisë, adresuar drejtuesve të universiteteve. Ai deklaroi dje se cilësia lë për të dëshiruar dhe korrupsioni gëlon si virus agresiv. Pedagogët, sipas Berishës, u ushtrojnë presion studentëve për notën kundrejt parave nën dorë dhe investimet kanë mbetur në nivelin zero. Kjo, megjithëse tre vjet më parë Qeveria katërfishoi fondin për shkollat e larta. Kryeministri u kërkoi rektorëve të marrin urgjentisht masa për të ndryshuar situatën. “Në mënyrën më agresive po përballemi me virusin e korrupsionit. Nuk ka më të rëndë, të papranueshme, sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i policisë rrugore, ai bën një krim dhe ndëshkohet. Po kur e bën një anëtar i stafit akademik? I elitës së kombit? Kjo është tmerrësisht e rëndë”. Le të adoptojmë në provime metodat më të papërshkueshme të korrupsionit”, u shpreh Berisha. Ai shtoi se rritja e numrit të studentëve është thelbësore, por nuk mund të pranohet raporti ekzistues, kur një pedagog ju jep mësim mbi 50 studentëve. “Në këtë rast, cilësia është iluzion. Unë ju bëj thirrje, me besim të madh, të rekrutoni më të mirët, t’i rekrutoni me kontrata dhe në rast se nuk përmbushin kushtet, me përfundimin e kontratës i lëshojnë vendin dikujt tjetër. Kjo situatë nuk mund të pranohet dhe zotërinj rektorë, dekanë duhet të ndryshohet me shpejtësi të madhe. Ky raport nuk qëndron. Mos harroni se një nga misionet e mëdha tuaja është se ju duhet të jeni shtretërit e mendimit intelektual”, theksoi kryeministri. Të gjitha këto deklarata u bënë në konferencën “Cilësia në Arsimin e Lartë dhe Procesi i Bolonjës”, e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore Jane Armitage, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, përfaqësues të DAAD, ekspertë të MASH, rektorë dhe studentë, përfaqësues të biznesit.”Tafaj e vlerësoi si sfidën më të madhe dhe më afatgjatë në zhvillimin e Arsimit të Lartë, Cilësinë dhe Procesin e Bolonjës. Ai theksoi se cilësia e shkollimit arsimor është ajo që do të përcaktojë shanset reale të të diplomuarve në tregun e punës dhe do të bëjë diferencën midis shkollave të larta. “Cilësia është një rrugë shumë e gjatë dhe atë duhet ta përshkojmë të gjithë bashkë: politika, komuniteti akademik, studentët, biznesi, shoqëria civile, media dhe faktorë të tjerë. Por faktori vendimtar mbeteni ju të nderuar profesorë, studentë dhe drejtues të universiteteve”, tha Tafaj. Po kështu në bashkëpunim me BB, MASH shpalli fillimin e projektit të parë për vlerësimin e standardeve akademike të zbatuara në reformën kurrikulare në AL. Ai do të pasohet nga një projekt i dytë për rankimin e universiteteve.