E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi, Bode: 200 milionë euro do të përdoren për kredinë e vitit të kaluar

 Ministria e Financave ka hapur procedurat për sigurimin e borxhit 300 milionë eurosh në formën e eurobondit, e cila do të shërbejë për financimin e deficitit. Në këtë kuadër ajo ka hapur tenderin për të gjetur fillimisht “subjektin udhëheqës” që do të menaxhojë këtë proces, dhe si afat i fundit për këtë stad është 30 janari. Ndërkohë, në faqen zyrtare të ministrisë, kjo e fundit u ka bërë thirrje bankave të mëdha dhe atyre të investimeve që të marrin parasysh këtë alternativë dhe t’i përgjigjen disa pyetjeve të cilat përbëjnë interes, të hartuara nga specialistët e ministrisë. Këtë borxh kjo e fundit synon ta marrë duke hedhur në tregun e huaj eurobondin. Siç bëhet e ditur edhe në faqen zyrtare të kësaj ministrie, procedurat tashmë janë hapur dhe bëhen të ditura edhe kushtet në të cilat kërkohet të merret ky borxh. Në kushtet e emetimit të eurobondit afati për shlyerjen e borxhit nga ana e Financave është përcaktuar 3-5 vjet dhe kërkesa për të justifikohet me termin e “financimeve të përgjithshme”. Nga ministria bëhet e ditur se 200 milionë euro do të shkojnë për të shlyer huan e marrë vitin e kaluar në po të njëjtën shifër. Institucionet financiare të huaja janë “objektivi” i marrjes së kredisë, ndërkohë që ato vendase janë përjashtuar nga ky proces. Ky përjashtim vjen me synimin e rritjes së kreditimit ndaj biznesit i cili ka pësuar tkurrje nga kriza.                         n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›