Emigrantët biznes me pasaportat, 2 mijë lekë radha
BERAT/ DILAVER XHELILIEmigrantë të shumtë në Berat kanë rreth 2 javë që presin në radhë për të tërhequr pasaportat biometrike. Një përfaqësi e tyre vendosën dje të futen në grevë urie, deri në zgjidhjen e kësaj situate e cila sipas tyre ka nisur të marrë edhe nuancat e një korrupsioni. Ata hedhin akuza se gjatë dy ditëve të fundit në vendin e tërheqjes së pasaportave janë dukur sekserët. Këta të fundit në këmbim të 2 mijë lekëve iu sigurojnë atyre në dorë dokumentin, i cili i ka lënë në radhë që pas festave të fundvitit. Dje disa emigrantë ishin në momentet e gjetjes së një ambienti afër Drejtorisë së Policisë dhe të përshtatjes së saj, në mënyrë që ata të nisin grevën. Sipas tyre, ata nuk mund të shkojnë në shtetet ku jetojnë pa këtë mjet identifikimi, ndërkohë që shumë prej tyre tashmë kanë humbur edhe vendin e tyre të punës. Situata në Berat dje ishte mjaft e tensionuar. Në radhët e stërzgjatura të emigrantëve kishte madje edhe gra shtatzëna, të cilat janë të detyruara të rrinë gjithë ditën para sportelit të vetëm që shpërndan pasaportat biometrike. “Kemi 15 ditë që torturohemi në radhë. Nuk e kuptojmë se si vendi ynë na trajton në këtë mënyrë, ndërkohë që shtetet ku ne jetojmë si emigrantë ekonomike na ndihmojnë për çdo problem që na lind gjatë kohës që ndodhemi atje. është shumë tragjike kur shikon në radhë 24 orë edhe gratë shtatzëna,” u shpreh një emigrant. Sipas tij, ai ka humbur vendin e punës në shtetin grek, ndërsa fëmijët e tij rrezikojnë shkollën. Njëherazi atij i rrezikohen edhe afatet e lejes së qëndrimit, të dhënë nga ana e shtetit helen. Sipas emigrantëve, gjatë këtyre ditëve ata i janë drejtuar edhe prefektit dhe kryebashkiakut, por ata kanë qëndruar indiferentë ndaj kërkesave të tyre. Në shpërndarjen e pasaportave punon vetëm një punonjëse, e cila e ka të pamundur të menaxhojë një situatë të tillë ku radha vetëm sa shtohet. Emigrantët kanë kërkuar gjatë gjithë këtyre ditëve që të shtohet personeli te sporteli i pasaportave. Tashmë pritet që një grup prej rreth 10 personash të futen në grevën e urisë derisa të merren masa dhe të fillojë shpërndarja e pasaportave. Sipas tyre, ata kanë aplikuar që në muajin dhjetor, por ende nuk e dinë se kur do të nisë shpërndarja. Gjithashtu, shumë emigrantë pohuan dje se gjatë dy ditëve të fundit janë paraqitur sekserë, të cilët iu kanë kërkuar 2 mijë lekë me qëllim që t’i ndihmojnë që ta marrin pasaportën sa më shpejt. Situatë problematike gjatë këtyre ditëve ka qenë edhe në Fier, ku emigrantët arritën deri edhe të kaçavirreshin mureve për të qenë të parët në radhë. Në fund ata ranë dakord me njëri-tjetrin që të operonin me letra me numra, dhe më pas radha të ishte sipas numrave rendorë.