E Shtunë, 31 Tetor 2026

AVATAR

Elsa Ballauri Djali im adoleshent që mëson në Toronto, u zhgënjye dhe u mërzit njëkohësisht për shokun e tij të Tiranës, kur pasi shkëmbyen entuziazmin e emocionit të filmit të sapodalë, “AVATAR”, mësoi se shikuesit nuk ishin pajisur me syze, një domosdoshmëri kjo për një film tridimensional. “Nuk mund të shihet dot pa syze, më tha djali, figura lëviz dhe të lodhen shumë sytë”…por nga kontinenti ynë, Briani, shoku i tij ishte përgjigjur: “Ehu, kush pyeti për syze…futu atje…shqiptarë “Hajde se shqiptarë jemi…” është një psikologji krejtësisht e veçantë kjo, në të cilën kemi klasifikuar veten: herë e bëjmë për të shpëtuar nga situatat, herë e bëjmë me sinqeritet e keqardhje, e herë për të justifikuar veprimet e padrejta. Nga njëra anë përpiqemi të arrijmë shpejt kohën e humbur në histori dhe kjo natyrisht kërkon një prezantim dinjitoz dhe ambicioz, që ne shpesh nuk e kemi. Nga ana tjetër, sidomos kur ndjejmë se nuk ja arrijmë dot asaj që duhet, justifikohemi se jemi këta që jemi, ca shqiptarë të mjerë që historia i ka goditur me gurë, që askush nuk na ka dashur të mirën, që s’i kemi pasur mundësitë që ka bota dhe shumë natyrshëm, pas kësaj, bëjmë një ndarje si me thikë: Ata dhe Ne. Në fakt, Ata dhe Ne ka luajtur një rol të shumanshëm në të gjitha etapat e historisë sonë. Psikologjinë Ata dhe Ne, e ndihmoi shumë mirë formimi i Heroit të Ri të realizmit socialist, Ata dhe Ne krijoi kompleksin e pseudomadhështisë dhe thelloi atë të inferioritetit. Duke u ndarë për një kohë shumë të gjatë, kryesisht fizikisht dhe më pas virtualisht nga të tjerë popuj, modeli ynë është specifik, ashtu i paqartë, i përzierë me vetveten: njëlloj cikli i mbyllur ku ne jemi njëkohësisht vepruesit dhe pësuesit: për të dalë nga situata, fajësojmë veten. Mbaj mend në fëmninë time që kam dëgjuar histori me “buono per Albania”: që në fillimet e shtetit të ri shqiptar, furnizimi i mallrave nga jashtë, sidomos nga Italia, bëhej me të tillë cilësi që ishte “ buono per Albania” (e mirë për Shqipërinë). Natyrisht që kjo është e njohur edhe sot, kur prodhimet e ndryshme kanë klasin e tyre të cilësisë. Por ajo që te shqiptarët ndikoi më shumë, ishte aspekti psikologjik i këtij fenomeni: e mirë për Shqipërinë, mund të ishin apo të jenë prodhimet e një faze të caktuar të zhvillimit ekonomik. Por, ndërkohë, ky përcaktim është bërë një term tipik psikologjik që na drejton jetën, punën dhe që po trashëgohet në brezat më të rinj. Nëse e dëgjoj nga kushdo moshatar imi shprehjen, “hajde, shqiptarë jemi ne”, natyrisht më vjen keq, por e di që është si rezultat i një tradite psikosociale deri- diku të justifikueshme, duke marrë parasysh rrethanat izoluese të vendit për afro gjysmë shekulli. Por ta dëgjoj këtë në gojën e të rinjve, dhe aq më shumë të të vegjëlve, kjo është më shumë se e dhimbshme: është e rrezikshme.Kjo lloj psikologjie i bën njerëzit pasivë, të mos kërkojnë të drejtën e tyre, madje shpesh të mos kenë interes ta njohin atë. Ideja se janë të kategorizuar në një shkallë të pakonsiderueshme, i bën ata të ndjehen të pavlerë. Kjo ka shkaktuar mungesën e ulërimës, kur një fabrikë armësh si ajo e Gërdecit ekzistonte aq afër me shtëpitë e banuara, që fatkeqësia e shpërthimit të kësaj fabrike të mbetet një psherëtimë figurative se sa një veprim qytetar për të mësuar nga ajo që pësuam. Kjo ndjenjë i bën shqiptarët ta shohin me shpirt të trishtuar edhe përmbytjen e këtyre javëve. Jam e bindur që shumë nga banorët e veriut nuk kanë besim se do të ndihmohen siç e meritojnë, jo vetëm se nuk kanë besim te shteti, por edhe se nuk kanë besim te vetja: pra ata akoma s’e kanë kuptuar se e meritojnë të bëhen siç ishin, madje më mirë, jo të luten, por të kërkojnë. Nuk është rastësi që një nga karakteristikat e shqiptarëve është fatalizmi. Kjo ndjenjë është krijuar nga kombinimi i asaj që shqiptarët ndjejnë për veten, me punën e dobët që shteti bën për t’i ngritur në klasifikimin e shkallës së qytetarisë. Këtë gjë e sheh në kufijtë me shtetet e tjera, sidomos ato me Greqinë e Italinë: askush s’e ngre zërin kur policit grek i teket të vonohet përtej rregullit: shqiptari nuk revoltohet dot as me grekun, as me shtetin e tij sepse në subkoshiencë fle ajo e thëna e vjetër e gjyshërve: “Shqiptarë ne, bëjnë ç’të duan të tjerët me ne”…Për fat të keq, edhe vetë shteti shqiptar është peng i kësaj psikologjie. Administrata punon aq sa “duhet” për të mbajtur marzhet e modelit të shqiptarit, qeveritë japin llogari aq sa “meriton” turma, politikanët shfrytëzojnë “modelin shqiptar” për të mbledhur ca fitime më shumë.E gjithë kjo filozofi e mërzitshme ka një rrugëdalje të vështirë për ta gjetur: të merremi me veten, të kuptojmë se vlerat qytetare do t’i formojmë vetë, të mos e transmetojmë teorinë e nënshtrimit te fëmijët tanë, që Briani, shoku adoleshent i djalit tim, të mos ta quajë normale që nuk iu dhanë syzet për të parë “AVATAR”-in tridimensional.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›