Një emër midis njerëzve
Edmond Arizaj Kur në dhimbjen e tjetrit, gjen lumturinë tënde, kjo pamëdyshje do të quhej cinizëm. Por profesor Edmond Tupja, duhet të na e falë cinizmin, këtë sjellje të poshtër njerëzore, sepse ai është aq i fortë, 17 vjet i fortë, sa të mos pranojë sot njerëzillëkun fals, mëshirën e pështirë, apo keqardhjen e shtirë. Libri i tij i fundit, kushtuar djalit 22-vjeçar me autizëm, është një përmendore e forcës njerëzore. Në dhjetëra faqe, që padyshim përpihen mallëngjyeshëm në pak orë, në çdo rresht, në çdo gërmë, ka dashuri, ka dhimbje, ka urrejtje, ka nerv, ka inat. Aty janë përzier butshëm dhe egërth të gjitha ndjesitë njerëzore e kafshërore. Tupja e ka shqyer egoizmin. Nuk e ka mbajtur të fshehur dhimbjen, por as ka pranuar ta ndajë me të tjerë. Dhimbja është e tij. Ashtu si dhe gëzimi. Mund të jenë vetëm 17 raste në 17 vjet, por është i tij. Ka arritur të mos qaravitet, duke na shmangur nga bashkëvuajtja, por na ka marrë përdore, duke na bërë bashkëmendimtarë. Të reflektojmë disa çaste, ku je, kush je, si je, çfarë ke marrë dhe çfarë ke dhënë, çfarë do të lësh dhe si do ta lësh, me çfarë je përballur, çfarë ke arritur dhe mbi të gjitha, kush është forca jote, forca që të shtyn të gjallosh. Tupja na ka treguar thjesht, humnerën ku e rrëzoi…ai ende s’e di se kush, por gjithsesi ishte një hon i zi e i pafund. Ai nuk lejoi ta përpinte, u kap me thonj e me dhëmbë pas thepave të errët, duke tërhequr nga pas edhe të birin, për të dalë sërish në dritë…Edmond Tupja ia doli…Por një forcë e panjohur, shumë herë më e madhe se forca e tij, e mbajti Gesin për vete, duke u treguar tepër dorështrënguar, i fali vetëm pak çaste lumturie nga lumturia që një prind ndjen për fëmijën e tij. I fali vetëm pak shikime, pak buzëqeshje, pak fjalë…dhe asgjë tjetër. Tupja është përpjekur të na fusë në një botë ku ne “normalët” nuk quhemi më të tillë. Në një botë pa lodra, pa qejfe, pa shokë, pa gëzim, pa dhimbje, pa dashuri. Kjo është bota e Gesit dhe gjysmëbota e Edmondit. Por ai nuk na kërkon të kuptojmë, sepse s’do të mundeshim kurrë. As ai nuk ia ka arritur dot. Por mund të meditojmë. Të meditojmë për dashurinë dhe forcën e njeriut, për dashurinë dhe forcën e një babai. Të meditojmë për degëzimin e çuditshëm që merr ndonjëherë jeta. Dhe për mundin e sakrificat që duhen për t’u rikthyer sërish në rrjedhën normale, e që jo pak herë nuk ia arrin dot. Ju jeni normalë, thotë Tupja. Edhe kur shkoni ushtarë, edhe kur hyni në burg, jeni sërish normalë. Tek anormaliteti (siç e shohim ne) i një të dënuari, ai sheh pamundësinë për të parë normal të birin. Dhe kjo dhimbje, arrin kulmin kur babai ateist i drejtohet vetë Zotit. Jo pse është dorëzuar. Jo pse ka vendosur ta lerë veten ta rrëmbejë humnera. Por thjesht se s’ka kujt t’i kërkojë llogari, jo për vete. Ai nuk e mendon më veten. Ndryshe nga prindërit e mitikut Admet, ai është i gatshëm ta japë jetën e tij për të birin, nëse ëndrra i bëhet realitet. Tupja i këndon dhimbjes së tij, por në dhimbjen e tij ne duhet të lexojmë forcën. Forcën për të kaluar çastet e vështira, sepse Tupja nuk ka kaluar çaste, por vazhdon të kalojë vitet, njëri pas tjetrit, njëri më i vështirë se tjetri. Mos u demoralizoni, duket se ulëret Tupja. Mos u jepni para vështirësive, është këshilla tjetër. Nëse ndokush ndodhet në situatë të vështirë, le të më kujtojë mua, thotë Tupe. Nëse ndokush i mrrolet fëmijës, le të kujtojë Gesin, përgjërohet sërish. Dhe pas kësaj, nuk na mbetet tjetër, veçse ta falënderojmë, pse në kohë të egërta e të ngatërruara, na solli pak dashuri, qoftë edhe dhimbje, por dhimbje njerëzore. Por mbi të gjitha, mbi gjithçka Edmond Tupja duhet të krenohet se tashmë Gesi i tij nuk është një anonim, por një emër midis njerëzve të tjerë. Midis normalëve të tjerë.