Fier, lihen në burg gjashtë policë rrugorë
FIER- Gjykata e Fierit la në burg dje gjashtë nga nëntë policët e arrestuar me akuzën e mitmarrjes. Për dy të tjerë togat e zeza vendosën masën me “arrest shtëpie” ndërsa i fundit me detyrim paraqitje. Gjykata shqyrtoi të gjitha rastet, një për një, në seancën me objekt verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit. Të arrestuarit janë paraqitur rreth orës 10:30 në gjykatë, nga ku edhe iu është komunikuar vepra penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike më shumë se një herë”. Asnjëri prej të arrestuarve nuk e ka mohuar akuzën, pasi Prokuroria kishte prova të mjaftueshme filmike për akuzën e ngritur ndaj tyre. Gjykata vendosi për të arrestuarit Anesti Gjini, Bardhosh Malaj, Pellumb Toro, Ermir Gjonce, Leonard Brahimaj dhe Viktor Gjini masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa për të arrestuarit Pëllumb Cepele dhe Arjan Xheka, u dha masa me arrest shtëpie pasi prokurorët e çështjes, Alma Kola dhe Artur Cara, riformuluan kërkesën e tyre për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të këtyre të arrestuarve. Ndërkaq për të arrestuarin Flamur Derveni, gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit nga “Arrest me burg”, në “Detyrim paraqitje”, për arsye se prokurorët e çështjes sërish kishin bërë riformulim të kërkesës së tyre, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të bashkëshortes së tij, e cila mësohet se vuan nga zemra. Nëntë policët rrugorë ranë në pranga dy ditë më parë, ndërsa 8 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. m.r