E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqiptaren e madhe, ikonën mbarëbotërore”

19-12-2012 / Gazeta 55

OKB shpall 5 shtatorin, datën që ndërroi jetë Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë
 
OKB shpalli 5 shtatorin, ditën kur u nda nga jeta Nene Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Shqipëria luajti një rol të dorës së parë që Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë të caktohej në 5 shtator, datën që ndërroi jetë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza.
I menjëhershëm ka qenë komenti i Kryemsitrit Sali Berisha në rrjetin social “Facebook”, i cili e ka quajtur ditën e djeshme, “një ditë e madhe!”.
Sipas Kryeministrit shqiptar, “Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për këtë shqiptare të madhe, e cila u shndërrua në ikonën mbarë botërore të forcës së pakufishme të dashurisë dhe përkushtimit njerëzor më shumë se kushdo tjetër në shekullin që jetoi. Unë dhe çdo shqiptar jemi krenarë për vajzën, gruan, nënën që kombi ynë ia dha si dhuratën më të mirë njerëzimit”.
Më pas Kryeministri Berisha, ka ndarë me miqtë e tij ën rrjetin social edhe kujtime të veçanta nga takimi me Nënë Terezën. Pjesë e këtyre kujtimeve ishte dhe urimi i Nënë Terezës adresuar Kryeministrit Sali Berisha, në një takim mes tyre, për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. “Pata fatin ta pres e ta takoj shumë herë. Në këto takime nuk flitej kurrë për politike por vetëm për të varfrit, të sëmurët dhe njerëzit në nevojë. Por ky rregull ‘u thye’ vetëm një herë dhe jo nga unë, por nga Nënë Tereza. Një dite korriku të vitit 1995, motrat e saj në Tiranë, më kërkojnë që të prisja atë ditë, nga ora 15.00, Nenë Terezën e cila do të vinte direkt nga aeroporti në zyrën time. Natyrisht që e prita me kënaqësi. Erdhi më përqafoi shumë e gëzuar dhe më habiti kur më tha se vinte direkt nga Kalkuta për të më uruar mua dhe të gjithë shqiptarët për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. E pyeta nëse mund ta bëja publik këtë urim dhe nëse do të pranonte t’i jepja titullin ‘Nderi i Kombit’. U gëzova pa masë kur ajo ra dakord për të dyja”, përfundon kujtimet e tij Kryeministri Sali Berisha.
Ndërkohë që vendimi për shpalljen e 5 shtatorit si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, si datë e re e shënuar për njerëzimin u mor dje me votim dhe vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, diskutimet për këtë temë siç ka treguar, ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, kanë vazhduar për disa javë. Në këtë rast Shqipëria luftonte jo vetëm për të nderuar një bijë të kombit të saj por edhe për një kauzë të drejtë sepse është e vështirë të gjendet në historinë e njerëzimit dikush që të simbolizojë më mirë bamirësinë sesa murgesha që në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për punën e saj humanitare me të vobektit dhe lebrosët në Kalkutë të Indisë.
Në fjalimin e mbajtur dje përpara votimit, në Asamblenë e Përgjithshme, Ambasadori Hoxha tha veç të tjerash se “ky do të ishte një nderim shumë të merituar ndaj gruas së mpakët po me zemër të madhe, të njohur ndërkombëtarisht për punën e saj gjatë gjithë jetës për të ndihmuar të sëmurët, të varfrit dhe të mënjanuarit. Shqiptarët do të jenë gjithmonë krenarë për Nënë Terezën, punën dhe trashëgiminë e saj, të cilën e konsiderojmë dhuratën tonë më të mirë ndaj njerëzimit”.
Ambasadori Hoxha pastaj citoi fjalët e Nënë Terezës, sipas të cilave “Nga gjaku jam shqiptare. Nga nënshtetësia, jam indiane. Nga besimi, jam murgeshë katolike. Për sa i përket kushtrimit, i përkas gjithë botës”.
Delegacioni shqiptar në OKB, i drejtuar nga Ambasadori Hoxha ishte bashkëpropozues i rezolutës që shpalli 5 Shtatorin si Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë.
5 shtatori është data kur bota humbi Nënë Terezën por që këtej e tutje do të jetë edhe data në të cilën bota do të sensibilizohet që të bëjë më shumë për të ndihmuar ata që nuk munden. Që këtej e tutje, 5 Shtatori do të na kujtojë jo që Nënë Tereza nuk jeton më, por që trashëgimia e saj është gjallë dhe e pavdekshme.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›