E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raketa e Koresë së Veriut për askund

19-12-2012 / Nga Kris Hill

Koreanoveriorët ende po e festojnë lançimin e raketës së tyre (entuziazmi i anoncueses së tyre televizive e bëri atë të duket sikur do të shpërthente para kamerave). Mirëpo ata së shpejti do të duhet të përballen me faktin se teknologjia antiraketore mund ta arrijë atë të raketave – dhe mbase edhe ta tejkalojë atë. Nuk do të ishte hera e parë në histori që një regjim brutal, por modern totalitar bën një investim të madh në diçka që me shpejtësi të madh po vjetërsohet

Lançimi me sa duket i suksesshëm i raketës “Unha-3” të Koresë së Veriut ishte i pashmangshëm, pas një lançimi të dështuar nëntë muaj më parë. Nuk kishte shenja atëbotë – apo ndonjëherë – se koreanoveriorët e kishin ndërmend të dorëzoheshin. Në të vërtetë, lansimi i raketës duket i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejt me një lansim tjetër – atë të liderit më të ri të dashur të Koresë së Veriut, Kim Jong-un – dhe të politikat e brendshme.
Mirëpo kurrë nuk është vënë në pikëpyetje nëse koreanoveriorët do të braktisin përpjekjet e tyre për ta martuar një kokë bërthamore me një raketë ndërkontinentale. Çështja e vërtetë është ajo se çfarë pjesa e mbetur e botës planifikon të bëjë për këtë gjë. Lansimi i raketës u bë përkundër dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe presionit nga të gjithë fqinjët e Koresë së Veriut, përfshirë këtu, me sa duket, edhe presionin e konsiderueshëm nga kinezët. Dënimi ndërkombëtar sigurisht se do të parashohë sanksione të reja apo të paktën përtëritje përpjekjesh për aplikimin e atyre ekzistuese. I vetmi interpretim bindës i lansimit, sidoqoftë, është se koreano-veriorët thjesht nuk çajnë kokë se çfarë mendon bota për ata. Deri në atë masë kanë shkuar kalkulimet e tyre, sa që do të mund të fryjnë dhe rrëzojnë dhe pashmangshmërisht të lëvizin në një krizë tjetër, prej shumë të tillave që tani ekzistojnë në botë. Në fakt, sfida që e pret shtetin që sillet me kaq pandëshkueshmëri, e që me aq pakujdesi rrezikon sigurinë e fqinjëve të vet, duhet të jetë konfrontimi i vendosur. Mirëpo shtrohet pyetja si.
Së pari, është me rëndësi që të identifikohet se çfarë qartazi nuk është duke funksionuar dhe që në të vërtetë mund të jetë kontraproduktive. Derisa vetëm shtegu diplomatik nuk do të jetë i mjaftueshëm për të bindur koreanoveriorët të veprojnë si duhet, ata që përqendrohen më shumë në dështimin e diplomacisë se sa në pabesinë e koreanoveriorëve e kanë ndihmuar pa dashje dhe e kanë përkrahur Veriun. Duke e shpallur diplomacinë të pavlerë, ata i kanë shlyer gjasat e bashkëpunimit me partnerët dhe aleatët, të cilët bashkërisht insistojnë në një shteg të fuqishëm diplomatik.
Denigrimi i diplomacisë është muzikë për veshët e shurdhër të koreanoveriorëve, përderisa nuk shoqërohet, natyrisht, me një alternativë më reale politike. Por kjo ndodh rrallë. Deklaratat luftarake nga thellësitë e analistëve të largët kanë po ashtu pasoja të paqëllimshme në grumbullimin e mbështetjes për Korenë e Veriut, në mesin e atyre që mund të jenë të prirë, për çfarëdo lloj arsyeje, to fajësojnë të tjerët për sjelljen e saj. Kush do ta bënte ndonjëherë një gjë të tillë? Disa koreanojugorë, sa për fillim. Në vitin 2004, anketat e opinionit publik në Korenë Jugore vazhdimisht kanë demonstruar se një pakicë e madhe – pothuajse një shumicë – ishte e gatshme t’i fajësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sjelljen e neveritshme të Koresë së Veriut. Nga ana tjetër, ekstremistët amerikanë akuzuan koreanojugorët se nuk ishin mjaft të ashpër, një akuzë kjo që arriti lehtësisht deri te ata që jetojnë me mijëra kilometra larg kërcënimit – dhe te ata që, në njëfarë kohe, kishin lejuan aleancën virtuale të  tensionohej.
Kritikët e diplomacisë duket të kenë edhe një tjetër cak në mendjet e tyre, po ashtu. Përveç përqeshjes së bisedimeve me koreanoveriorët, ata duan të bëjnë të qartë se Kina – Perandoria e tyre e re Djallëzore – është pjesë e problemit e jo zgjidhje, që në fakt është një e dhënë e grumbulluar për t’u dëshmuar si e saktë. Një tjetër grup i kritikëve të papërmbajtshëm të Perëndimit e shohin Korenë Veriore si një dëshmi se madje edhe paranoikët kanë armiq dhe se është përgjegjësi e Perëndimit që të tejkalojë supozimin e Veriut për politikat armiqësore ndaj saj. Objektivisht, është vështirë të jesh largpamës për një shtet gulagu që e shtyp fjalën e lirë edhe më ashpër se sa do të mund ta bënin ndonjëherë autokratët e Lindjes së Mesme dhe që i menaxhon nevojat e përditshme të popullatës në një mënyrë që mund të përshkruhet si mesjetare (përshkrim ky që mund t’i atribuohet edhe procesit të tij të trashëgimit të pushtetit).
Mirëpo është fakt se, gjatë të ashtuquajturave bisedime gjashtëpalëshe që filluan në vitin 2003, pesë shtete – përfshirë katër fqinjët kryesorë – i ofruan Koresë së Veriut një marrëveshje të përgjithshme paqeje, garanci për mosndërmarrjen e synimeve armiqësore, një marrëveshje paqësore për Gadishullin Korean, asistencë ekonomike, anëtarësim në një asociacion rajonal, marrëdhënie diplomatike dhe një shteg drejt energjisë civile bërthamore. Koreanoveriorët i braktisën të gjitha këto në tryezë. Ata nuk i ndoqën këto oferta, nuk kërkuan verifikimin e implementimit të tyre apo propozuan hapa pasues për të siguruar që kërkesa e tyre për çarmatim bërthamor nuk do të rëndohet së tepërmi. Historia e negociatave me Korenë e Veriut nuk ka qenë, siç disa kritikë do të sugjeronin, një histori e premtimeve të thyera nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Sjellja koreanoveriore është një tjetër çështje.
Ajo që do të duhej të ndodhte në javët në vijim është afrimi shumështegësh: Mbajtja e derës hapur për negociata dhe riafirmomi i ofertave të bëra në deklaratën e përbashkët gjashtëpalëshe; Ashpërsimi i sanksioneve, e veçanërisht implementimi i tyre; Forcimi i shpërndarjeve antiraketore në rajon.
Shtegu i tretë është jashtëzakonisht i kushtueshëm, por, edhe për kritikët e mbrojtjes raketore (dhe të tillë ka shumë), kjo është një ide e keqe proverbiale, koha e të cilës ka ardhur. Mbrojtja raketore kryen punë. Koreanoveriorët ende po e festojnë lansimin e raketës së tyre (entuziazmi i anoncueses së tyre televizive e bëri atë të duket sikur do të shpërthente para kamerave). Mirëpo ata së shpejti do të duhet të përballen me faktin se teknologjia antiraketore mund ta arrijë atë të raketave – dhe mbase edhe ta tejkalojë atë. Nuk do të ishte hera e parë në histori që një regjim brutal por modern totalitar bën një investim të madh në diçka që me shpejtësi të madh po vjetërsohet.

Autori është ish-zëvendëssekretar amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, ambasador amerikan në Irak, Korenë e Jugut, Maqedoni dhe Poloni, si dhe një i dërguar special i SHBA-së në Kosovë. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›