E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vlerësoj figurën e Nanos, por presidenti do jetë nga PD-ja

Share

Pas takimit mes kryeministrit Berisha dhe kandidatit të vetëshpallur për president, Fatos Nano, Kryeministria ka lëshuar një njoftim, sipas të cilit, Berisha vlerëson figurën dhe marrëveshjet në të kaluarën me Fatos Nanon. Por, Berisha thotë se nuk mund ta mbështesë për president Nanon, pasi presidenti do të jetë nga PD.

“Në këtë takim, që u zhvillua në Selinë e Këshillit të Ministrave, ish kryeministri Fatos Nano, i parashtroi kryeministrit Berisha kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin Kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit.

Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave.

Nga ana tjetër Kryeministri theksoi  se, qëndrimi i bërë tashme publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës.

Kryeministri Berisha theksoi se pas kthimit nga Samiti i Chikagos ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për ti dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës“, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›