E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vlora nuk do të jetë park energjetik

Kryeministri Berisha thotë se Vlora nuk do të jetë park energjetik, por kjo nuk do të thotë se aty nuk do të ndërtohet termocentrali i projektuar tashmë. Gjatë një vizite që zhvilloi dje në Vlorë, Kryeministri u tha gazetarëve se "porti energjetik" i Shqipërisë do të jetë Porto Romano në Durrës, duke premtuar kështu se qeveria e tij nuk do të miratojë asnjë projekt tjetër për ndërtim termocentralesh në Gjirin e Vlorës.

Vizita

Kreu i qeverisë ka vizituar dje shumë nga projektet që tashmë janë në zbatim, apo do të nisin zbatimin, si projekte infrastrukturore, energjetike etj. Në total projektet përfshijnë një vlerë prej 150 milionë eurosh, ndërsa shihen si investime që do t‘i japin Vlorës një zhvillim të konsiderueshëm. Vizita e Kryeministrit nisi me inaugurimin e një rruge rurale në fshatin Fitore të Komunës Novoselë. Më tej, Berisha vizitoi një kompleks të prodhimit të birrës dhe pijeve freskuese, ku deklaroi se prodhimi i vendit është shumë më cilësor se ai i importit. Berisha deklaroi se agrobiznesi duhet stimuluar, ndërsa shtoi se Vlora me zonën e saj industriale është nja nga vendet më tërheqëse për investime, sepse është e lidhur me portin dhe me një seri faktorësh të tjerë.

Energjia

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e punimeve për nënstacionit elektrik të zonës së Babicës, që është një nga investimet më të mëdha në këtë sektor, me një vlerë prej 25 milionë eurosh. Berisha shkoi më pas në Triport në kantierin e projektit më të madh energjetik të Vlorës, ku po ndërtohet Termocentrali. Këtu, Kryeministri u njoh me ecurinë e punimeve, ndërsa deklaroi se ky TEC do të jetë i vetmi i këtij lloji në Vlorë. Ai tha se kjo është një vepër e rëndësishme energjetike për Vlorën dhe për vendin në tërësi. "Dua të garantoj qytetarët e Vlorës se ky do të jetë i vetmi objekt energjetik në qytet. Të gjitha ofertat e tjera janë spostuar në Porto Romano dhe Vlora nuk do të ketë të tjerë", tha Berisha, ndërsa vlerësoi se TEC-i që po ndërtohet në Vlorë është i standardeve evropiane. Kryeministri tha gjithashtu se Vlora do të ketë një port ndër më të mëdhenjtë e Mesdheut, pasi korridori Durrës-Prishtinë që po ndërtohet e bën Vlorën të rëndësishme. "Thellësia e ujërave i ka dhënë Vlorës avantazhe dhe ky port do të shndërrohet në një mega-gjenerator të zhvillimit", tha Berisha, ndërsa duke iu rikthyer ndërtimit të TEC-it theksoi se "ka pasur një premtim që ky TEC të prodhojë energji në fund të vitit 2008 në ciklin e hapur, e më tej në maj të 2009-ës në ciklin e mbyllur. Ky ka qenë një premtim i mëparshëm dhe unë premtimeve të mia u dal zot e nuk i lë rrugës", tha Kryeministri.

Investimet

Kryeministri preu dje edhe shiritin e fillimit të punimeve të projektit më të madh të ujësjellësit në Vlorë, një projekt që arrin shifrën 25 milionë euro. Berisha deklaroi se vetëm gjatë turit të djeshëm në Vlorë ai inauguroi projekte në ujësjellës dhe energji me një vlerë investimi rreth 150 milionë euro, ndërsa premtoi se qeveria do të mbështesë Bashkinë e Vlorës në të gjitha projektet e mëdha, që do ta bëjnë qytetin më të madh dhe më të bukur. Berisha shkoi dje edhe në Orikum, ku, sipas tij, investimet e qeverisë kapin shifrën e 80 milionë eurove. Ai deklaroi këtu se qeveria ka një regjim fiskal mjaft pozitiv dhe se Shqipëria po bëhet një parajsë fiskale në këndvështrimin e lehtësirave që ofron ky sektor. Ai tha se në Orikum qeveria do të zbatojë projekte që do të nxisin zhvillim kryesisht në sektorin e turizmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›