E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani paralajmëron: Kemi edhe 25 "Gërdecë"

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i tregon ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketës, 25 zonat e rrezikshme në Shqipëri, duke i rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së depove, tuneleve dhe magazinave të ruajtjes së municioneve. Krahas ruajtjes së zonave të "minuara", Dobjani deklaron se objektet në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, si magazinimi i predhave, armatimit, lëndët toksike, djegëse dhe të çdo veprimtarie e objekti tjetër me burim rreziku të shtuar për jetën dhe shëndetin e popullsisë, duhet të kontrollohen periodikisht nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. "Duke marrë shkas nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec në datën 15 mars 2008, zyra e Avokatit të Popullit u kërkoi të gjitha prefekturave, bashkive dhe komunave në Shqipëri të evidentojnë veprimtaritë dhe objektet e ndryshme shtetërore, apo private që përbëjnë burim rreziku të shtuar", thuhet në rekomandimin që Dobjani i ka dërguar ministrit Oketa. Sipas shkresës përcjellëse, ka nisur një proces shqyrtimi për këtë çështje shumë të rëndësishme, e cila, nëse nënvleftësohet ose ulet niveli i kujdesit të përhershëm ndaj rrezikshmërisë që paraqesin, mund të sjellë përsëri pasoja të paparashikueshme për jetën, shëndetin, pronën dhe nivelin e sigurisë në vend. "Iniciativa synon që të rrisë nivelin e përgjegjësisë dhe të vërë më mirë në lëvizje të gjitha organet shtetërore dhe autoritetet publike të ngarkuara nga ligji me kontrollin dhe disiplinimin e veprimtarive e objekteve me burim rreziku të shtuar. Disa nga objektet që konsiderohen të tilla janë edhe depot, tunelet, të lëndëve plasëse, të lëndëve kimike, helmuese e toksike, magazinat e municioneve, të predhave dhe armatimit, ambiente të ish-reparteve ushtarake, uzina e ndërmarrje ushtarake, reparte ose poligone demontimesh për predha dhe municione etj., në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes", informon Avokati i Popullit edhe Kryeministrin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Sipas tij, për identifikimin e të gjitha objekteve civile apo ushtarake me burim rreziku të shtuar, janë kërkuar në muajin mars nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, komuna dhe bashki, informacion për ekzistencën apo jo të tyre në territoret që ato administrojnë. Dobjani i shkruan Oketës se nga përgjigjet që kanë ardhur deri tani prej titullarëve e njësive të qeverisjes vendore, rezultojnë se në afërsi të 25 qendrave të banuara, apo akseve rrugore ka objekte ushtarake që potencialisht mbartin rrezik për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve. Harta, e publikuar më parë nga gazeta "Shqip", tregon të gjitha qytetet me burim rreziku të shtuar, ku qytetet që kanë më shumë municione në gjirin e tyre janë Burreli, Tirana, Elbasani, Berati, Skrapari dhe Tepelena. Por nuk përjashtohen edhe qytetet e tjera.

"Duke marrë shkas nga ngjarja e Gërdecit dalin detyra për rritjen e shkallës së përgjegjësisë së strukturave përkatëse të ushtrisë dhe të bashkëpunimit të tyre me organet vendore e qendrore të administratës publike, për marrjen e masave për rritjen e shkallës së sigurisë së tyre. Duhet të fillohet nga ruajtja me personel rojesh të instruktuar, me rrethimin e territoreve të rrezikshme, me grumbullimin dhe spostimin nga qendrat e banuara, nga akset rrugore apo objektet e rëndësishme shtetërore, ekonomike e publike për në vende më të sigurta, për vendosjen e tabelave për ndalim-kalimi dhe paralajmërim rreziku, për pajisjen me mjetet më të domosdoshme për mbrojtjen nga zjarri, me afishimin e detyrave konkrete dhe specifike për çdo rast e çdo objekt dhe masa të tjera", deklaron Dobjani.

Informimi për Berishën:

Të gjitha zonat e rrezikshme

Krahas ministrit të Mbrojtjes, Gamend Oketës, Kryeministri i Shqipërisë është në dijeni të të gjitha zonave të rrezikshme në Shqipëri. Informacioni i nisur nga zyra e Avokatit të Popullit ka përfunduar edhe në zyrën e Kryeministrisë. Sipas raportit, i detajuar edhe me listën e objekteve ushtarake me burim rreziku të shtuar, në Shqipëri janë 25 zona të rrezikshme. Zyra e Avokatit të Popullit deklaron se Kryeministri ka dijeni edhe për rekomandimet që i janë përcjellë përfaqësuesit të qeverisë në ushtri. Dobjani i shkruan Berishës të marrë masa të menjëhershme organizative-teknike për verifikimin apo riverifikimin e gjendjes faktike në të gjitha objektet ushtarake me burim rreziku të shtuar, nëse janë në përputhje me kërkesat e akteve ligjore dhe ato nënligjore, që kanë të bëjnë me ruajtjen, mirëmbajtjen, sigurinë, transportin, demontimin dhe shkatërrimin në poligone, uzina e ndërmarrje, shërbimin teknik periodik, rregullat e hyrjes në to të materialeve dhe njerëzve, mbrojtjen nga zjarri, nga agjentet atmosferikë dhe përmbytjet, si dhe marrjen e masave të rrepta disiplinore e penale ndaj kujtdo që me veprime apo mosveprime ka cenuar, ose cenon sigurinë e këtyre objekteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›