E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vendimi i KQZ-së, produkt i marrëveshjes Berisha-Rama"

Vendim absurd që shpërfill vullnetin e popullit. Kështu e ka vlerësuar refuzimin e kërkesës për mbajtjen e një referendumi për ndryshimet në Kushtetutë kreu i LSI-së, duke reaguar menjëherë pas vendimit të marrë. Hedhja poshtë e kërkesës për referendum nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në qendër të një takimi të Ilir Metës me mbështetësit e vet në Durrës. "Ky është qëndrimi më absurd, më qesharak dhe më i paligjshëm që mund të mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet të veprojë vetëm mbi bazë të Kodit Zgjedhor. Dhe, sipas Kodit Zgjedhor, ne kemi kërkuar për stadin aktual dhe për çështjen që ka shqyrtuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vetëm formularët tip, të cilat ky Komision Qendror Zgjedhor duhet t‘ia japë subjektit që është interesuar, në rastin konkret është Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës". Meta tha se vendimi arbitrar i ka mohuar popullit shqiptar të drejtën legjitime të shprehjes së vullnetit të tij përmes referendumit, ndërsa ka treguar se të gjitha institucionet në vend janë të zaptuara dhe jo të lira. Gjithsesi Meta, gjatë një prononcimi për median është shprehur i bindur në realizimin e referendumit, pa përcaktuar kohë, po duke u ndalur në elementin faktor. Ai tha se nuk pret që vendimi të merret nga një KQZ që interpreton Kushtetutën sipas dëshirës së Berishës dhe Ramës. Votimi 8 me 1 kundër realizimit të referendumit, sipas Metës, por edhe të tjerë pjesëmarrësve në takim, është konsideruar si një puç politik i paprecedent, që i heq sovranit popull të drejtën për t‘u shprehur mbi Kushtetutën dhe ndryshimet në të, të bëra për qëllime të pastra përfitimesh politike dhe pushteti. Në vijim vendimi është vlerësuar si një tjetër produkt i marrëveshjes së dy liderëve Berisha-Rama. "Ky vendim që ka marrë KQZ-ja është tërësisht jashtë kompetencave të tij, është tërësisht një paragjykim politik i komanduar nga Sali Berisha dhe nga Edi Rama, sikurse duket edhe tek tetë votat e komanduara të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste në KQZ. Në fakt nuk është ndonjë çudi e madhe, sepse z. Gjata e ka paralajmëruar këtë vendim që një muaj më parë dhe na ka rekomanduar madje që as të mos i drejtohemi fare KQZ-së", tha Meta. Ndërkaq, gjatë takimit në Durrës me anëtarë të LSI-së në Durrës, kjo forcë politike pranoi në radhët e saj një grup të rinjsh. Anëtarësimet e vazhdueshme në këtë parti e forcojnë bindjen e lidershipit të saj për të qenë faktor i rëndësishëm në jetën politike shqiptare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›