E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vogli ra për tu bërë i pavdekshëm

Numri një i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një vizitë në familjen e “Dëshmorit të Atdheut” Feti Vogli i cili ndërroi jetë gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit.
Ndërsa i ka shprehur ngushëllimet familjes së kapitenit Vogli, Berisha ka vlerësuar se Vogli ra për tu bërë i pavdekshëm.
“Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare, për të ndarë dhimbjen e pikëllimin me familjen e Kapiten Feti Voglit, që ra për t`u bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor.

Unë përcolla gjithashtu, ngushëllimet e bashkëluftëtarëve të tij, me komandantin e të cilëve zhvillova mbrëmë një bisedë telefonike, të cilët ishin të tronditur thellë e të pikëlluar për humbjen e vëllait, mikut e bashkëluftëtarit të tyre, Kapiten Feti Vogli.

Solla gjithashtu, ngushëllimet e Gjeneralit John Allen, Komandant i Forcave të NATO-s në Afganistan, i cili shprehu dhimbjen më të madhe për rënien në krye të detyrës të Kapiten Voglit dhe më kërkoi t`u përcillja familjarëve të Kapiten Voglit, ngushëllimet e tij dhe të Komandës së NATO-s në Afganistan.

Unë jam i bindur se sot, me familjen Vogli, me prindërit, bashkëshorten, vëllain, janë të gjithë shqiptarët, që marrin nga një copë dhimbje, zi e pikëllim që t`ia lehtësojnë dhimbjen kësaj familje të nderuar.

Edhe një herë, duke shprehur ngushëllimet, lutemi që shpirti i Kapiten Voglit të gjejë paqen që meriton. Ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua”tha ai.

Më herët familjarët e Voglit kanë pritur për ngushëllime kreun e shtetit Bamir Topi dhe ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu.
Kapiteni Feti Vogli u vra ditën e djeshme gjatë një sulmi të papritur ndaj njësisë amerikano shqiptare në Kandahar, ku ai bënte pjesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›