E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dixhitalizimi do të luftojë korrupsionin

 Dixhitalizimi është një nga mënyrat më të mira për të luftuar korrupsionin. Kështu deklaroi kryeministri Sali Berisha në konfrencë e dytë për shoqërinë e informacionit. Berisha u shpreh i bindur se dixhitalizimi ndikon drejpërsëdrejti në babëzinë e zyrtarëve të administratës shqiptare.

Berisha theksoi se gjatë këtyre gjashtë viteve Shqipëria liston një seri shërbimesh elektronike themelore duke nisur nga prokurimet publike, regjistri i gjendjes civile, shërbimi për taksat doganore, etj. Kryeministri Berisha gjithashtu ka garantuar shërbime më të shpejta, më të mira, kursim kohe dhe transparencë totale dhe luftë ndaj korrupsionit të cilat sipas tij janë disa nga anët pozitive të qeverisjes dixhitale dhe Shqipërisë dixhitale.

Nga të gjitha asetet në çdo lloj analize që të bësh rezulton se për njeriun me e çmuara është koha. Qeveria ime duke besuar se koha është më e çmuara u përqendruar në infrastrukturën rrugore dhe dixhitale” shtoi Berisha.

Ai ka theksuar gjithashtu se procedura dixhitale, vjen në radhë të parë në të gjitha përpjekjet për të luftuar korrupsionin. “Ne duam qeveri të hapur, kjo bazohet në shoqërinë dixhitale. Çdo shpenzim që bëhet nga kjo administratë dhe ky shtet lexohet të nesërmen online nga qytetarët. Përpjekja për një shoqëri dixhitale, është përpjekje për shërbimet më të shkëlqyera, kursim kohe, transparencën më të madhe. Kemi punë të madhe për të bërë, me seksionin bankar, transaksion elektronik, një zhvillim tjetër i rëndësishëm. Garantoj bankat se jemi të gatshëm të miratojmë çdo ligj që lehtëson veprimtarinë e tyre” shtoi më tej Berisha. 

E ndërsa ambasadori i BE në Tirana Etore Sequi deklaroi se burokracia dëmton demokracinë dhe qeverisja elektronike është mënyra më e mirë për ta shmangur atë. "Ofrimi i shërbimeve në formë elektronike është përhapur në shumë vende të BE-së dhe dixhitalizimi i shërbimeve ka treguar të jetë një masë mjaft e dobishme në shkurtimin e kohës dhe kostove të ofrimit të shërbimeve publike. Jo vetëm që qytetarët dhe bizneset kursejnë kohën dhe energjinë që aktualisht çohet dëm duke pritur në rradha të gjata, por eliminohen edhe pagesat nën dorë që jepen për të shpejtuar ofrimin e një shërbimi, dhe buxheti i shtetit lehtësohet nga shumë kosto operacionale" tha Sequi.
 

Bashkimi Europian ka financuar deri më tani 3.200.000. BE synon të ndihmojë Shqipërinë në përgatitjen e kornizës së nevojshme ligjore, kapaciteteve teknike, si dhe aftësimin e adminitratës për ofrimin e shërbime në formë elektronike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›