E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Votuesit shqiptarë votëbesuan mazhorancën

13-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha falenderon zgjedhësit, të cilët në datën 8 maj fisnikëruan më shumë demokracinë shqiptare dhe sistemin demokratik të vendit


Shefi i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se mazhoranca qeverisëse në zgjedhjet vendore të 8 majit, mori një mbështetje të madhe politike, duke rritur përqindjen e votave në shkallë kombëtare me 6%. “Sovrani foli në mënyrën më referendare duke i dhënë një vlerësim prej 6 për qind më shumë mazhorancës aktuale me votën e tij politike”- u shpreh sot Berisha. Kryeministri iu referuar gjërësisht rezultateve paraprake të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Berisha falënderoi zgjedhësit shqiptarë të cilët në datën 8 maj fisnikëruan më shumë demokracinë shqiptare dhe sistemin demokratik të vendit. Duke u ndalur te vota politike, kreu i qeverisë shprehu bindjen se “kjo votë politike, përbën jo vetëm një rifreskim të mbëshetjes së fuqishme të shqiptarëve për mazhorancën, por dhe një garanci të padiskutueshme për një fitore të shkëlqyer të kësaj maxhorance në vitin 2013”. “Në fletët e votimit ka pasur edhe një votë politike aq sa janë politike simbolet e partive. Në këto zgjedhje ka patur një votim strikt, tërësisht e kryekëput politik dhe ky është votimi mbi siglat e partive poltike”- deklaroi kryeministri. Në këtë drejtim, Berisha falënderoi qytetarët shqiptarë që politikën ia besuan kësaj mazhorance dhe e konsideroi këtë një arritje të madhe. Ai kujtoi se ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do t’i uronte fitoren kundërshtarit në rast se do të merrte qoftë edhe një votë të vetme mbi koalicionin “Aleanca për Qytetarin”. Por, sipas Berishës, “logot politike të këtij koalicioni janë sot në një avantazh mbi 6 përqind dhe kjo merr një domethënie të veçantë, pasi kundërshtari politik e nisi fushatën elektorale duke shpallur një referendum popullor kundër kësaj qeverie”. “Në qytetet e mëdha të vendit, qendra të tjera më të vogla dhe në tërësi, vota politike iu besua atyre që kanë politikat më të besueshme”- tha kryeministri. Sa i përket procesit zgjedhor në tërësi, Berisha falënderoi zgjedhësit shqiptarë, të cilët sipas tij, “nderuan më shumë se asnjëherë tjetër lirinë dhe vlerat e saj dhe faktuan para mbarë botës vendosmërinë e tyre për të konsoliduar sistemin demokratik në vend dhe kontribuan në procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE”. Kryeministri vuri në dukje se “këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë me qartësi se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi dhe saktësi se në çdo vend tjetër”. Duke komentuar garën e fortë për Tiranën, kryeministri tha se “pavarësisht nga rivaliteti, secili nga kandidatët e ka të qartë dhe është i bindur se vota e tij, po numërohet në mënyrën më korrekte dhe kjo është një arritje e demokracisë shqiptare”. “Në këto zgjedhje paraprakisht del e qartë se qytetarët shqiptarë i kanë besuar opozitës, administrimin dhe qeverisjen e shumicës së qendrave të mëdha urbane të vendit. Presim rezultatin e Tiranës që po më duket si një fitore, “shpirtnxjerrëse”, pasi u kushtoi përqendrim të jashtëzakonshëm kandidatëve”- tha Kryeministri. Berisha theksoi se po pret rezultatin përfundimtar për të uruar fituesin në Tiranë, ndërsa shprehu vendosmërinë dhe gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim dhe partneritet në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Në përfundim, Berisha garantoi shqiptarët se këtë mbështetje të madhe politike që kanë dhënë, qeveria do ta konvertojë në projekte të mëdha. “Ne do të realizojmë reforma të thella, rritje të rrogave dhe pensioneve, nxitje të biznesit, kompletimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri dhe përsosjen më tej të sistemit arsimor të vendit, përmirësimin e sistemit shëndetësor, avancimin në modhën dixhitale shtyrjen përpara të procesit të integrimit europian”- deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.


 “Aleanca për Qytetarin” në avantazh ndaj koalicionit opozitar


Pesë ditë pas votimeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, procesi tashmë po shkon drejt  përmbylljes së numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 65 bashki të vendit, ku ka përfunduar numërimi i votave, koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar në 34 prej tyre, ndërsa koalicioni qeverisës “Aleanca për Qytetarin” ka fituar në 31 bashki të tjera. Ky është rezultati përfundimtar për të gjitha bashkitë e vendit, pa llogaritur Tiranën, ku numërimi ka mbetur në kutitë e fundit të njësisë bashkiake 5 (KZAZ nr.49), për të nxjerrë rezultatin për kryebashkiakun e ri. Mazhoranca ka fituar disa bashki që kanë qënë bastion i së majtës në Jug të vendit, si bashkia e Përrenjasit, Librazhdit, Roskovecit, etj. Ndërsa, PS ka arritur rezultate në disa bashki të njohura si të djathta si në Kavajë, Shijak, Laç, etj. Ndërkohë, Partia Demokratike ka fituar 133 komuna në mbarë vendin, ndërsa Partia Socialiste ka konfirmuar deri tani fitoren e saj vetëm në 57 komuna. Në shkallë vendi mbeten mbi 100 komuna në garë ku ende nuk janë numëruar votat, por referuar shifrave zyrtare, opozita ka fituar 32% të komunave, ndërsa maxhorana 68% të tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ dy koalicionet pjesëmarrëse deri më tani kanë këto rezultate: koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” ka fituar 726.471 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, i drejtuar nga Partia Socialiste, ka marrë 641.215 vota. Aktualisht, diferenca mes dy koalicioneve është rreth 85 mijë vota. Partitë politike jashtë dy koalicioneve të mëdha, gjithsej 8 parti, kanë marrë 32 mijë vota për Këshillat bashkiakë dhe komunalë në shkallë vendi. Votat që dy partitë e mëdha kanë marrë në shkallë vendi ndahen: PS ka marrë 389.690 vota, ndërsa PD 297.706 vota, me një diferencë prej 92 mijë votash. Pas tyre renditet LSI që në shkallë kombëtare ka marrë 104.367 vota, e ndjekur nga PR me 65.562 vota, e më pas PDIU me 58.127 vota etj. Gara për zgjedhjet vendore të 8 majit u zhvillua për kryetarët e rinj të 383 njësive bashkiake në rang kombëtar, ku konkuruan dy koalicionet, ai i majtë “Aleanca për të Ardhmen” dhe koalicioni i djathtë, “Aleanca për Qytetarin”.


KQZ: 18 480 vota të pavlefshme në shkallë vendi


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri të ditur se aktualisht 18.480 vota rezultojnë të pavlefshme nga të gjitha komisionet zonale të administrimit zgjedhor(KZAZ) në shkallë vendi, ndërsa vetëm në Tiranë këto vota përllogariten në 6236. Sipas KQZ-së, për votat e shpalluara të pavlefshme do të merret një vendim më vonë nga ky institucion.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›