Berisha: "Xhepat" nga ku do marrim paratë për Gërdecin
Këshilli i Ministrave ka zbardhur dje mënyrën sesi do të gjenden paratë për të dëmshpërblyer të aksidentuarit nga shpërthimi i Gërdecit. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, vlerësimi i dëmtimeve pasurore, miratuar nga Këshilli i Ministrave, është 1.5 miliardë lekë të vjetra dhe kjo faturë financiare është propozuar të përballohet nga donacionet e ofruara në llogaritë e hapura bankare për këtë qëllim, nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe nga fondi i Kontigjencës. Me anë të projektvendimit të propozuar nga Kryeministri Sali Berisha, qeveria ka përcaktuar miratimin e burimeve dhe të procedurave të financimit të dëmeve pasurore të shkaktuara nga aksidenti i Gërdecit. Në këtë projektvendim, shpërthimi i 15 marsit në Vorë është etiketuar si aksident teknologjik. Financimi i dëmeve pasurore të shkaktuara nga tragjedia e 15 marsit do të bëhet në përputhje me listën dhe vlerën përkatëse të miratuara në vendimin nr. 336, datë 24.03.2008 të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objektet, pronë private, si rrjedhojë e aksidentit të ndodhur në Gërdec. Burimet e financimit të dëmeve pasurore kapin vlerën 1572 milionë lekë dhe janë të ndara në tri kategori. 150 milionë janë para të siguruara nga dhurimet e derdhura në llogaritë bankare, të hapura me këtë qëllim. 800 milionë lekë do të përdoren nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 622 milionë lekë do të përdoren nga fondi i kontigjencës. Dhurimet nëse rezultojnë mbi vlerën e 150 milionë do të rimbursojnë fondin e kontigjencës. Me anë të këtij projektvendimi është përcaktuar që financimi i dëmeve të përfituesve të bëhet vetëm në llogaritë bankare të hapura në emër të tyre, duke zbatuar katër pika të propozuara nga Këshilli i Ministrave. Njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të listave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, hartojnë listë-pagesat përkatëse. Listë-pagesat përmbajnë emrin, atësinë dhe mbiemrin e përfituesit, vlerën e dëmshpërblimit dhe referencat e llogarisë bankare. Njësitë e qeverisjes vendore depozitojnë në Ministrinë e Financave listë-pagesat zyrtarisht edhe në formë elektronike. Ministra e Financës urdhëron kryerjen e pagesës nga llogaria e hapur për këtë qëllim në Bankën e Shqipërisë drejtpërdrejt në llogarinë bankare të përfituesve. Ky projekt ka përcaktuar edhe procedurat analitike të përdorimit të këtyre fondeve. Financimi është përcaktuar të bëhet vetëm në llogaritë bankare të përfituesve. Fondet për financimin e dëmeve pasurore do të administrohen nga Ministria e Financave, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor. Mbështetur në ligjin mbi emergjencat civile, Këshilli i Ministrave ka vlerësuar nivelin e dëmeve të shkaktuara nga aksidenti tragjik i Gërdecit dhe me propozim të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ka miratuar vendimin nr. 336, datë 24.03.2008, listën e përfituesve si edhe masën e dëmshpërblimit të tyre. Mbi këtë bazë, Ministria e Financave ka përcaktuar në këtë projekt burimet e financimit, si edhe procedurat sesi do të zbatohen ato për kryerjen e pagesave për dëmshpërblimin e personave të dëmtuar. Një javë më parë, Kryeministri Berisha ka deklaruar se fondi që do të vihet në dispozicion të të dëmtuarve do të jetë 1.5 miliardë lekë dhe do të përballohej nga buxheti i shtetit. Vetëm një javë më pas qeveria ka zbardhur dhe ka bërë publike mënyrën sesi do të gjenden këto financime, duke evituar dhe shmangur në këtë mënyrë prekjen e fondit për rritjen e pagave dhe pensioneve në korrik të 2008-ës.