E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, qeveria shmang Shoqatën e Ndërtuesve

Qeveria me vendimin e djeshëm ka shmangur Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila kishte ofruar mbështetje për ndërtimin e 300 shtëpive në fshatin Gërdec, ku ndodhi tragjedia e shpërthimit të fabrikës së armëve. Ky vendim ka habitur vetë anëtarët e shoqatës, të cilët nuk gjenin motivin e përjashtimit nga skema e financimit. Burime zyrtare nga Shoqata e Ndërtuesve u shprehën për gazetën se "ndërtuesit nuk janë tërhequr nga qëllimi për të ndërtuar shtëpitë e dëmtuara në fshatin Gërdec, por ishte vetë qeveria, e cila me vendimin e saj, e pa si zgjidhje të mundshme që t‘u japë para në dorë banorëve të prekur, ku më tej ata t‘i ndërtojnë vetë objektet". Propozimi i ndërtuesve konsistonte në ndërtimin e 300 shtëpive të dëmtuara, sipas kostos të miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave, rreth 25 mijë lekë për metër katror. Gjithashtu, ata kërkuan nga qeveria mbështetje dhe lehtësi fiskale për këtë operacion, duke u bërë thirrje njëkohësisht partnerëve privatë që tregtojnë lëndë të parë në ndërtim si tulla apo beton, që t‘ua shisnin me një çmim 5 deri në 10 për qind më të lirë, gjithnjë për qëllim të fshatit Gërdec. Por qeveria ka miratuar dje fondin për dëmshpërblimin e banorëve të prekur, rreth 1,5 miliardë lekë, duke përcaktuar në skemën e shpërndarjes se paratë do të jepen direkt në dorë nëpërmjet llogarive bankare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›