E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka: Ja pse denoncova

"Top Show" ishte emisioni i parë, që paralajmëroi parmbrëmë botimin e shkrimit nga "New York Times". Lajmi u mësua nga biseda paraprake me biznesmenin Trebicka, i cituar disa herë në artikullin e gazetës, i cili ishte i informuar për daljen e tij. Gjatë emisionit, ku morën pjesë ekspertë juridikë si Spiro Peçi, Arjan Madhi, Fatmir Xhafa, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Damian Gjiknuri, juristi Saimir Tahiri, si dhe dy vëllezër të fadromistit të vrarë, Ilirian Malçi, u intervistua dhe biznesmeni i njohur për regjistrimet, Kosta Trebicka. Menjëherë pas intervistës, moderatori i emisionit, Alban Dudushi, paralajmëroi botimin e shkrimit për të cilin Kryeministri ishte shprehur më parë në Parlament, se ai e kishte bllokuar shkrimin që përmbante të pavërteta.

Biseda në "Top Show", e zhvilluar kryesisht në planin e fajësive ligjore të protagonistëve të Gërdecit dhe përfshirjen e qëllimshme të amerikanëve në këtë histori, pati dy kulme: bisedën me dy vëllezërit e punonjësit të xhenios, Ilirian Malçi, dhe intervista me Trebickën. Trebicka vijoi me mesazhe të koduara për aferën e trafikut të armëve dhe me njëlloj rekomandimi për të ruajtur qetësinë deri në marrjen e ftesës së NATO-s, që është interes kombëtar, sipas tij.

Intervista me Trebickën

A ka lidhje midis tragjedisë së Gërdecit dhe shitjes së ligjshme të armëve, apo korrupsionit në këtë shitje? Në të dy historitë del e njëjta firmë, Delijorgji...

Nuk di kë të besoj. Unë mund të them vetëm për biznesin tim dhe nuk kam asnjë lloj informacioni mbi Gërdecin. Nuk kam pasur lidhje me Gërdecin. Unë thjesht denoncimin e bëra për interesa kombëtare, i nisur nga veprimi ose mosveprimi i disa personave në administratën qeveritare. Për sa i përket Gërdecit, më vjen keq si çdo shqiptari, por siç e thashë dhe më parë, nuk kam asnjë lloj informacioni për aktivitetin e demontimit, paketimit, trafikimit ose jo atje. Megjithatë, të paketosh municione nuk do të thotë t‘i trafikosh ato. Që të paketosh municione mund të kesh dhe shumë opsione të tjera, një nga ato është dhe trafikimi, por jo domosdoshmërisht trafikohen. Nëse ke një kontratë për paketim patjetër që nuk ka të bëjë me trafikimin e tyre. Në rast se paketimi dhe trafikimi ose transaksioni del jashtë marrëdhënieve ligjore, atëherë këtu kemi të bëjmë me trafikim.

Ju keni folur për një shtëpi ku është zhvilluar takimi i famshëm, thatë diku në mes të dy ministrive, dhe ku ishin Pinari, Delijorgji dhe një djalë 27 vjeç...

Ajo shtëpi dihet, por të jeni të sigurt se nuk është shtëpia e Kryeministrit ose ish-shtëpia e tij.

Pse ju vajti mendja atje?

Sepse lexova në shtyp para disa ditësh, ku bëhej aluzion se ishte shtëpia e Kryeministrit dhe se unë paskam frikë ta nxjerr. Por jo, nuk është ajo dhe unë nuk kam frikë. Unë, sikurse dhe shumë subjekte të tjera, jam një objekt investigimi kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe ky investigim nuk mund të shpaloset në të gjitha detajet për vetë rëndësinë e të gjitha transaksioneve që janë kryer.

Megjithatë, ju në intervistën e parë flisnit për takimin me Shkëlzenin dhe paralajmërimin që i është bërë për investigimin nga FBI. Janë bërë ato hetime?

Rezultatet akoma nuk kanë dalë dhe nuk bëhen publike, por dhe kur të dalin ata nuk m‘i thonë mua. Dhe natyrshëm që nuk ka ardhur një grup, por shumë grupe hetimore, shumë persona. Dhe investigimi është bërë i larmishëm.

Regjistrimin e bisedës pse e bëre?

Pse unë, si qytetar i këtij vendi, nuk paskam të drejtë të denoncoj veprimet ose mosveprimet e këtij shteti?

Frika ndaj jush se dini shumë gjëra?

Nuk është forumi mediatik, ku mund të thuhen të gjitha.

Ju përmendët pak më parë se e bëtë denoncimin për interesa kombëtare. Për ç‘interesa kombëtare bëhet fjalë?

I dini shumë mirë ju, se jeni dhe jurist. Bëhet fjalë për interesa kombëtare të momentit. Shqipëria ka plotësuar kushtet e ciklit të 9-të të Kartës së Adriatikut. Dhe se sipas tyre, Ministria e Mbrojtjes ka një detyrim për të zëvendësuar materialet ushtarake të vjetra me të reja, në përputhje me standardet e NATO. Dhe në rast se kushdo, qoftë administrator i kësaj pasurie kombëtare, si municione dhe armatime, vepron ose nuk vepron, pavarësisht se nga niset, për përfitime personale ose të tjera, në dëm të këtij interesi, ne duhet të reagojmë. Ne duhet të jemi të interesuar për të marrë ftesën e anëtarësimit. Dhe unë, si qytetar i thjeshtë, e kam për detyrë të denoncoj veprime të tilla.

Pse pranuat blerjen e fishekëve me një diferencë prej 18 dollarësh (1000 fishekë për 40 dollarë) dhe si shpërndahej ky fitim?

Se si shpërndahej nuk e di, se nuk jam organ investigues apo drejtësie. Unë kam cilësinë si qytetar dhe si biznesmen. Kontrata e shitjes së municioneve rridhte nga një urdhër i Departamentit Amerikan të Shtetit ose më mirë të themi, të një tenderi që ishte organizuar nga Departamenti i Mbrojtjes për blerjen e një sasie municionesh nga vendet e Lindjes, me destinacion Afganistanin. Pasi shkonin në Afganistan, NATO i dorëzonte tek ushtria afgane. Dhe Departamenti i Shtetit kishte akorduar një fond prej 300 milionë dollarësh dhe në këtë kontratë, përcaktohej cilësia, sasia, koha, vendi, subjekti ku dorëzohet dhe afati i caktuar.

Pse 18 dollarë më shumë?

Sido që ta shpjegoj unë, ju nuk do e kuptoni dot. Unë ju shpjegoj procedurën dhe ju gjeni arsyen! Kontratat janë shumë rigoroze kur flitet me Departamentin e Mbrojtjes, akoma më shumë rigoroze që nuk mund t‘i shmangesh dot. Në momentin që kompania kualifikohet për të blerë materialin, së bashku me urdhrin e blerjes del emri, vendi dhe kompania e shitjes, vendi ku do dorëzohet, sasia e specifikuar, lëvrimi e të gjitha këto duhen në një kohë minimalisht tre muaj para nga Departamenti i Mbrojtjes. Dhe nuk ke asnjë mundësi të ndryshosh asnjë element të këtij urdhri. Nuk mund të thuash pas marrëveshjes se në Shqipëri po na shesin me 40 dollarë dhe unë po shkoj t‘i blej në Hungari. Kompanitë që merren në këto tendera për t‘u treguar seriozë nuk bëjnë lojëra me Departamentin e Mbrojtjes. Kur ato detyrohen nga vendi, i cili e blejnë këtë municion që mund të jetë dhe me çmime më të larta, kompanitë për hatër të mosprishjes së këtyre procedurave, pranojnë të humbasin.

Shoqëria zvicerane ishte komisionere pas lidhjes së kontratës me "Meico"?

Shoqëria zvicerane është futur, pasi ka dalë urdhri i Departamentit të Mbrojtjes.

A ishit në dijeni se kjo kontratë do zbatohej në Gërdec?

Unë di që kjo kontratë do zbatohej nga kompania e Delijorgjit, por jo vendin se ku.

Nëse thirreni nga prokuroria, do paraqiteni?

Unë për dy-tri ditë do jem aty, më pret ose jo prokuroria.

18 dollarë më shumë në të dyja rastet. Pse me komisioner në mes?

Jo vetëm kompani amerikane, por të gjithë do vepronin njëlloj se nuk ka kuptim të ikë një subjekt dhe çmimi të mbetet i njëjtë. Kompanitë amerikane janë rigoroze për sa i përket ligjit. Nëse ajo hyn në marrëdhënie të jashtëligjshme apo korruptive, qoftë brenda ose jashtë Amerikës, përgjegjësia ndaj tyre është e njëjtë.

Ju jeni në dijeni të shumë gjërave. Sipas jush, a mund të identifikoni përgjegjës në këtë histori dhe nëse po, cilët janë?

Jemi të gjithë ne, komuniteti ynë, që lejojmë klasën politike të bëjë sipas qejfit. Ata nuk janë në bankën e përfaqësuesit politik për të shprehur interesat e tyre të ndryshme; ata janë për të shprehur mendime të ndryshme.

Pse kërkuat të takoheshit me djalin e Kryeministrit dhe jo me Kryeministrin drejtpërdrejt?

Nuk kisha mundësi të takohesha me të.

Kjo është njëlloj sikur të thuash se kur do të takosh detin, kalon nga lumi...

Pa diskutim!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›