E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi OSSH, qeveria shmang investitorin në vendosjen e tarifave

Edhe pas privatizimit të OSSH-së, (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes), KESH do të jetë institucioni përgjegjës për furnizimin me energji elektrike ndaj konsumatorëve finalë. Ky është vendimi i qeverisë, i cili i referohet Modelit të Tregut, të sapohartuar nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike (ERE). Burime zyrtare nga Enti shprehen për gazetën "Shqip" se, KESH do të jetë përgjegjësi kryesor për furnizimin me energji ndaj popullatës, edhe pse këtë funksion do ta kryejë OSSH-ja me pronar të ri. "Sipas modelit të ri të tregut, furnizuesi publik me shumicë do të jetë KESH, i cili do t‘ia shesë energjinë elektrike OSSH-së, sipas tarifave të miratuara nga ERE. Ndërsa furnizuesi publik me pakicë do të jetë OSSH-ja, e cila energjinë elektrike të blerë nga KESH, do t‘ua shesë konsumatorëve, gjithnjë sipas nivelit të caktuar nga ERE. Pra, në të dyja veprimet do të jetë Enti ai që do të diktojë çmimin e shitjes me shumicë dhe me pakicë, gjithnjë duke kënaqur si investitorin privat që do të blejë OSSH-në ashtu dhe konsumatorët", shprehen të njëjta burime. Në këtë mënyrë, skema e qeverisë konsiston në moslënien në dorë të privatit çmimet e shitjes së energjisë elektrike te konsumatorët familjarë dhe privatë, por do t‘i caktojë një masë fitimi sipas një përllogaritjeje të bërë nga ERE.

Modeli

Ndryshimet e propozuara në projektligjin "Për sektorin e energjisë elektrike", në thelb kanë për qëllim të mbështesin thellimin e reformave në organizimin dhe funksionimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me politikën e qeverisë për privatizimin e sektorit të shpërndarjes (OSSH). Sipas relacionit të përgatitur nga ministri i Energjetikës, Genc Ruli, nënvizohet se, "Për të realizuar privatizimin e sektorit të shpërndarjes, janë evidentuar disa çështje që duhet të reflektohen në ligj, si p.sh strukturat që do të ofrohen për privatizim, si ai operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe furnizuesi publik me pakicë, përcaktimi i detyrave të tyre".

Eksporti

KESH-it do t‘i lejohet të eksportojë energji në kohë piku dhe të importojë energji atëherë kur vendi ka nevojë. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, duke zyrtarizuar një nga veprimet që për vite me radhë ka shërbyer si objekt akuzash korrupsioni. "KESH kërkon të drejtën e ndërhyrjeve me optimizim dhe unë jam dakord me këtë. Korporatës do ti krijohet kjo mundësi në mënyrë që ajo, duke plotësuar tërësisht nevojat e vendit, të mund të eksportojë në kohë piku dhe ti importojë në periudhën më të vështirë për vendin", tha Kryeministri Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›