Berisha: Zgjedhjet ishin të lira, kutitë nuk i hap

Kryeministri: Rama të kërkojë ndjesë publike ndaj elitës së kombit për etiketimet e tij
TIRANË - Me gjithë ofertën e parashtruar nga opozita dhe apelin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike, kreu i mazhorancës, Sali Berisha, vazhdon ta refuzojë këtë alternativë për daljen nga ngërçi politik.
Gjatë inaugurimit të Qendrës së Përbashkët të Kontrollit të Hapësirës Detare, në qytetin e Durrësit, Berisha i ka treguar sërish opozitës se me veprimet e saj politike, ajo do të marrë si përgjigje ndëshkimin ligjor.
Duke i konsideruar zgjedhjet 28 qershorit brenda standardeve, Kryeministri vuri në dukje se funksionimi i shtetit ligjor bëri që zgjedhjet të ishin të lira e të ndershme, ndërkohë që nga ana tjetër opozita e akuzon atë për manipulim të procesit zgjedhor, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit, përmes një oferte që ka marrë edhe miratimin e ndërkombëtarëve, por që është refuzuar në mënyrë kategorike nga kreu i qeverisë. "Çdo përpjekje për të imponuar me cilindo mjet apo forcë qoftë, dhunimin e shtetit ligjor, do të marrë përgjigjen ligjore, nga kushdo dhe cilido.
Ka qenë kjo përgjigje që ju, i keni dhënë në mënyrën më të vendosur bandave edhe falangave të krimit, ajo që ka bërë dhe bën Shqipërinë një vend të sigurt; ka qenë kjo përpjekje ajo që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", - tha dje Berisha.
Edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha nuk dha asnjë përgjigje mbi kërkesat dhe ofertat e opozitës të parashtruara për zgjidhjen e ngërçit politik, por ka mbrojtur elitën e kombit siç e quajti ai, e cila gjatë ditëve të fundit ka dalë kundër grevës së urisë së opozitës.
Duke iu referuar qëndrimit të kryetarit të opozitës ndaj intelektualëve të vendit, Berisha kërkoi që Rama të kërkojë falje dhe ndjesë publike për fyerjet e hedhura ndaj tyre.
"Dua t'i drejtohem sot kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të kërkojë ndjesë publike ndaj elitës së kombit për vlerësimet dhe etiketimet e tij, ndoshta në momente dëshpërimi dhe uroj që të kenë qenë në momente dëshpërimi, ndaj intelektualëve më të shquar të vendit duke i cilësuar ata me epitete jashtëzakonisht të padenja, duke i cilësuar ahengxhinj, sazexhinj, çengie", - nënvizoi ai.
Berisha theksoi gjithashtu se kreu i opozitës, Rama, nuk mund të faktojë vjedhjen e votave më 28 qershor dhe për më tepër sipas tij, aksioni politik i opozitës bëhet vetëm për interesa personale të kryetarit të saj.
"Ti kërkon t'i bindësh ata se u vodhën votat? Votat, zotëri, nuk janë paratë e atij UFO-s sindikale që ndan aty. Votat janë sekreti i shqiptarëve, janë sekreti i tyre, janë vullneti i tyre, janë firma që ata vendosin mbi to. Më trego një fakt të vetëm, se si mund të besojë elita të pabesueshmen?
Si mund të të besojë elita se këtë betejë nuk e ke për pushtetin tënd personal?", - tha Berisha. Lideri i shumicës në pushtet nuk ka lënë pa atakuar kreun e opozitës në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke i thënë këtij të fundit se intelektualët që kanë dalë kundër aksionit politik të opozitës, nuk posedojnë kompani apo firma ndërtimi. "Kjo elitë ka një specifikë dhe ki shumë kujdes.
Këta nuk janë njerëz që kërkojnë leje ndërtimi, këta nuk kërkojnë troje, këta nuk drejtojnë sipërmarrje të mëdha apo kompani ndërtimi. Këta kanë fletën e letrës dhe mjetet për të shkruar mbi të.
Ke bërë gabimin më të rëndë se kurrë. Këtë e them si intelektual, e them me bindje, por të ftoj që t'u kërkosh falje", - vuri në dukje ai. Kryeministri shtoi se e respekton grevën e urisë, por ai theksoi se nëse do të kishte dashur mund të kishte urdhëruar heqjen e çadrave për 15 minuta.