Serumi mban gjallë shpirtrat e grevistëve
Në ditën e 17-të të urisë, ata që kanë rezistuar deri më tani jetojnë vetëm me serum
TIRANË - Pas mesditës zagushia të zinte frymën në çadrën ky pas 17 ditësh kanë mbetur rreth 150 grevistë të ngujuar përballë kryeministrisë. Shiu i rënë gjatë gjithë paradites së djeshme thuajse kishte përmbytur gjithçka.
Plastmasët e vënë mes çadrave kurrsesi nuk mund të pengonin depërtimin e atij rrebeshi. Aty këtu ishin krijuar pellgje uji, ndërsa stafi organizator mundohej që më këto të ruante mbulesat e shtretërve nga shiu.
Duan t'i lësh në hall të tyre, dhe mënyra se si do të mund të vijojnë grevën e urisë është shqetësimi më madh për ata burra dhe gra që ende rezistojnë në emër të transparencës dhe hapjes së kutive të votimit. Eltioni, në krahun e djathtë me disa likoplastë ka fiksuar më së miri vigonin e serumit.
Djali rreth të 35-ve e di mirë që nga ajo age është në dorë fati i qëndrimit të tij në çadër. Kurrsesi nuk do të jetë një ndër ata grevistë që i ka parë të dalin që aty me barelë ndaj dhe serumi është e vetmja mënyrë që ai të qëndrojë deri në ditën kur opozita do të mund t'ia rrijë qëllimit të saj.
Në fakt, Eltioni nuk është i vetmi që mban shpirtin gjallë me serum. Dje në qendër të çadrës ishin instaluar dy çadra të vogla, që përngjanin si paradhomat e urgjencës. Në fakt, ato janë kthinat ku janë transferuar në dhomëzat që mbajnë frymën gjallë grevistët. "Kjo është e vetmja mënyrë për të rezistuar.
Prej ditësh, kjo është e vetmja mënyrë që mbajmë frymën gjallë paçka se kemi dëgjuar lloj-lloj fyerjesh për ne", - të thotë Shegushe Ligori, e cila dje në mesditë merrte serumin e radhës. Në fakt në ditën e 17-të këtë bën Iliri, Erioni, Nazmiu, Flora, Olta e gjithë pjesa e burrave dhe grave të mbetur në çadrën ku nisi lëvizja më e madhe e opozitës.
Ndërkohë që trishtimi përfshin gjithsecilin prej tyre kur mjekët "urdhërojnë" daljen e Armando Uruçit, Besnik Bares apo edhe Ermonela Felajt të braktisë grevën. Në venat e tyre serumi nuk bën më efekt.
Me gjithë trishtimin që ndjejnë asnjëri nuk do që të jetë në barelën që përcillet nga çadra me duartrokitje. Jo vetëm Shegushja, por edhe shumë të tjerë e quajnë veten shumë të fortë dhe fajin ia vënë zagushisë që ka sfilitur trupat e tyre. Ndaj dhe mjafton pak pushim në orët e drekës deri sa në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" mbërrijnë qindra protestues në mbështetje të tyre.
Atëherë duket se zagushia merr fund. Sfilitja ia lë vendin ekzaltimit ku jo vetëm fjalimet e oratorëve, por dhe zërat në kor të mbështetësve kthehen në serumin e shpirtit për burrat e gratë që vijojnë grevën e urisë përballë kryeministrisë. Kur ra mbrëmja në çadër protestuesit u kthyen banesave dhe grevistët dremitjes me shpresën se e nesërmja do të vijë e bardhë jo vetëm për to.
Dita e 17-të, 7 grevistë përfundojnë në spital
TIRANË - Në ditën e 17-të të grevës së urisë, dy deputetë dhe pesë përkrahës të PS-së kanë lënë çadrën, si rezultat i gjendjes së rënduar shëndetësore. Deputeti i PS, Besnik Baraj, ka lënë grevën për herë të dytë, pas përkeqësimit të shëndetit.
Ai është dërguar më autoambulancë për në spital. Po dje është larguar edhe deputetja e Beratit, Ermonela Felaj. Një tjetër grua nuk ka mundur dot që të përballojë më tej grevën si rezultat i komplikacioneve.
Ajo është Flora Hasanaj, 45 vjeç, nga Tirana që pati probleme me tensionin. Mbrëmë janë dërguar në spital edhe grevistët Armando Uruci nga Tirana dhe Viktor Hila nga Guri i Zi. Më herët kanë parë dyert e spitalit edhe Shkëlqim Kapllani nga Mallakastra dhe Agim Seva nga qyteti i Lushnjës.