E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE - Berishës: Kompromisi ekziston

OSBE përgënjeshtron kryeministrin e vendit. Ky i fundit tha se nuk ka draft apo propozim

TIRANË - Pavarësisht refuzimit kategorik të Kryeministrit Sali Berisha se në tryezën e tij nuk ekziston asnjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike, organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, (OSBE) ka përsëritur dje se kompromisi politik është i pranishëm në tryezat e liderëve politikë.


OSBE-ja ka sqaruar dje se i qëndron deklaratës së bërë javën e kaluar nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh. "I qëndrojmë deklaratës së Bosh. Marrëveshja ka propozim për zgjidhjen e krizës", - thuhet në sqarimin e kësaj organizate.


Megjithëse ambasadori Bosh nuk dha detaje për formulën e zgjidhjes së krizës politike, ai pranoi ekzistencën e një kompromisi duke konfirmuar se kjo marrëveshje kishte edhe mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. "Ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t'i inkurajoja udhëheqësit politikë të pranojnë kompromisin tani.


Të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti, të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete dhe të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëni hapin e madh. Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t'u zgjatur", - apeloi Bosh ditën e premte.


Vetëm një ditë më pas Kryeministri Sali Berisha e mohoi kategorikisht të ketë një draft të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e ngërçit politik duke thënë se në tryezën e tij ishin vetëm rezoluta e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e Komisionit Europian.


Marrëveshja politike e cila, mendohet se ekziston në tryezat e liderëve kryesorë politikë, është pranuar nga opozita e cila i ka kërkuar edhe shumicës që ta pranojë këtë alternativë për zgjidhjen e krizës.


Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar nga shumica në pushtet që të pranojë hapjen e materialeve zgjedhore dhe më pas të jetë Komisioni i Venecias ai që të japë gjykimin e tij mbi fletët e kutive të votimit.


Por, mazhoranca nuk e ka pranuar këtë ofertë duke e cilësuar atë si antikushtetuese dhe se për të zgjidhur këtë çështje opozita duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe është kjo e fundit që mund t'i drejtohet ose jo Komisionit të Venecias për të marrë opinionin e tij.


Mosarritja e një kompromisi politik midis palëve e ka lënë pezull zgjidhjen e krizës politike, duke bërë që protestat dhe greva e urisë së opozitës të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve të qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›