Rreziqet me të cilat përballet gjuha shqipe, Rrokaj: Zhvillimi i gjuhës lidhet me edukimin e shoqërisë

Fjalët e huaja, të panevojshme, që prej shumë vitesh kanë hyrë në fjalorin e përditshëm të shqipes, kanë marrë përmasat e një sëmundje ngjitëse që po dëmtojnë çdo ditë e më shumë gjuhën shqipe.
Pedagogu Shezai Rrokaj, në një intervistë për RTSH, kërkon më shumë kujdes në përdorimin e gjuhës standarde, si dhe në botimet me karakter zyrtar e publik.
“Pas viteve 1990 vetë shpërbërja politike e sistemit bëri që gjuha shqipe t’i nënshtrohej trysnisë së fjalëve të huaja, një pjesë e të cilave ishin të nevojshme, por nga ana tjetër trysnia e fuqisë së depërtimit të fjalëve është shumë më tepër se imuniteti amnor që ne kemi për t’u mbrojtur nga kjo epidemi”, tha Rrokaj.
Por çfarë ndodh me fjalët e huaja që kanë gjetur përdorim të gjerë në shoqëri.
“Ju fillojnë dhe “ju ripërtypin” dhe për pasojë ripërtypin edhe aftësinë rigjeneruese që kanë vetë gjuhët duke zëvendësuar këto fjalë me fjalët e tyre”, tha ai.
Rrokaj sqaron se zhvillimi i gjuhës është i lidhur ngushtë me edukimin e një shoqërie.
“Nëse gjuha qëndron jashtë gjithë përkujdesjes, natyrisht se natyra e saj për t’u vetëzhvilluar dhe vetëmbrojtur bie. Prandaj këshillohet që edukimi në radhë të parë, kultura, lexim janë të domosdoshme që janë si vitamina që ne marrim për t’u mbrojtur nga goditjen e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe”, u shpreh Rrokaj.
Ndërsa për sa i takon teksteve shkollore, Rrokaj u shprehet se ato duhet të rishikohen dhe të orientohen drejt në kushtet e sotme.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/