E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Zgjerimi i BE-së të mos lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës”



“Zgjerimi i BE-së në Ballkan të mos lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës”. Kështu është shprehur kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik. Traktati i Lisbonës pritet të ratifikohet nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian në mënyrë që t’i hapet rruga integrimit të vendeve të Ballkanit në BE. Por, pas rrëzimit nga Irlanda, ratifikimi i këtij Traktati është pezulluar nga vendet e BE-së, gjë që sjell vështirësi në politikat e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit. Edhe përfaqësues të tjerë të pranishëm në Samitin e Kroacisë, me temë “Axhenda e BE-së pas Traktatit të Lisbonës”, mbështetën kërkesën e kryeministrit Berisha dhe vlerësuan se ky proces është një arritje e madhe dhe e shpejtë e sukseseve të Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit gjithashtu vlerësuan suksesin e reformave në vendet e Ballkanit dhe nënvizuan se vazhdimi i tyre është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian. Ndërsa kryeministri Berisha, në fjalën e tij tha se zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore. “Këto projekte përbëjnë planin e vërtetë të masave, në të cilin është fokusuar qeveria ime”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare.
Në Samitin e Kroacisë marrin pjesë dhe kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, zv.kryeministri i Çekisë, Alexandër Vondra dhe drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian, David Daly. Më tej, në fjalën e tij, Berisha ka renditur disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si reforma në Drejtësi dhe vendosja e shtetit ligjor. “Krimi i organizuar ishte një problem i madh jo vetëm për Shqipërinë. Ne kemi ndërmarrë luftën me zero tolerancë ndaj tij, kemi shkatërruar më shumë se 200 grupe kriminale dhe kemi arrestuar dhe vënë para drejtësisë më shumë se 900 drejtues dhe anëtarë të tyre. Sot Shqipëria është nga vendet më të sigurta, me tregues kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së”, - është shprehur Berisha. Lidhur me situatën në rajon, kryeministri Berisha vlerësoi se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi kishin një rëndësi thelbësore për ta bërë rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë më parë.

7 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›