Berisha: Zhvillimi rural, prioritet i qeverisë

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të dielën paradite në përurimin e disa veprave publike në komunën Strumë të rrethit të Fierit, ku gjatë fjalës së tij përpara banorëve vuri në dukje vëmendjen e qeverisë që drejton ndaj zonave rurale të vendit. Në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të dy rrugëve në këtë komunë, rrugës Strumë-Fier dhe Kuz-Strumë. "Në mandatin e dytë qeverisës zhvillimi rural do të jetë objektivi kryesor", tha Kryeministri, i cili solli në vëmendje investimet e shumta të qeverisë në infrastrukturën rrugore, shkolla, kopshte, ujësjellësa, kanalizime etj, gjatë katër viteve të fundit, investime që kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e banorëve të këtyre zonave. Ai informoi në këto dy muaj, vetëm në qarkun e Fierit, do të fillojnë investimet për 120 km rrugë. Kryeministri u ndal dhe në politikat sociale të qeverisë për uljen e varfërisë si dhe për rritjen e rrogave dhe pensioneve.