Olldashi në Maqedoni, linja liqenore Pogradec–Ohër hapet në qershor
Shqipëri-Maqedoni, bashkëpunim në shërbimin postar
Maqedonia po bën projektin për 56 km hekurudhë
Rrugët e komunikimit infrastrukturor mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të funksionojnë më së miri në të gjitha drejtimet. Të dyja vendet po punojnë me projekte të përbashkëta për të krijuar udhë komunikimi. Rruga e Arbrit, e cila do të vazhdojë edhe brenda territorit maqedonas, do t’i shërbejë më së shumti qytetarëve maqedonas për t’u lidhur me portin e Durrës. Një linjë tjetër do të jetë nga liqeni, ku brenda qershorit pritet të vihet në funksion. Shqipëria dhe Maqedonia gjithashtu do të lidhen edhe me rrugë hekurudhore, për të cilën pala maqedonase po bën gati projektin. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ohër me ftesë të ministrit të Transportit dhe Komunikacionit të Republikës së Maqedonisë, z. Mile Janakieski. Gjatë bisedimeve zyrtare të dy ministrat vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy institucioneve që ata drejtojnë dhe diskutuan gjerësisht mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në fushën e transportit dhe telekomunikacionit, duke u fokusuar në projektet e Korridorit VIII për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe përgatitjen e projekteve për lidhjen hekurudhore ndërmjet dy vendeve tona. Të dy ministrat ranë dakord për hapjen e linjës liqenore Pogradec–Ohër në qershor të këtij viti. Ministri maqedonas u shpreh për përgatitjen e rrugës Gostivar-Dibër që do të lidhet me rrugën e Arbrit, ndër të tjera ai shtoi “Maqedonia po përgatit projektin për lidhjen e 56 km hekurudhe brenda vitit 2010”. Gjatë këtij takimi, ministri Janakieski përshëndeti Ministrin Olldashi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në vijim të takimit, ministrat nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për bashkëpunimin në fushën e shërbimeve postare dhe komunikimeve elektronike.