E Shtunë, 31 Tetor 2026

Noterët në alarm: Nuk ka pulla në treg

Prej afro një muaji, ata nuk janë furnizuar me pulla. Shtyrja e tenderit për shtypjen, ka shkaktuar mungesën


Në të gjithë vendin vihet re një mungesë pullash për noterët dhe për gjendjet civile


Pullat e taksës janë shndërruar në problem serioz në mbarë vendin dhe mungesa e tyre në treg i ka bërë produktet më të kërkuara të momentit. Noterët thonë për "Shekulli"-n se prej afro një muaj kanë hasur vështirësi në sigurimin e tyre, dhe prej disa ditësh, shumica e zyrave të noterive ka pezulluar legalizimin e dokumenteve, për shkak të mungesës së tyre. Në treg vihet re një mungesë e theksuar e pullave për noterët dhe ato të certifikatave që përdoren nga zyrat e gjendjeve civile. Për shpërndarjen e tyre është përgjegjëse Ministria e Financave, ndërsa noterët thonë se pas kontakteve me autoritetet, u është komunikuar se mosfurnizimi me pulla ka ardhur si shkak i moszhvillimit në kohë të tenderit për shtypjen e tyre. Noterët deklarojnë se janë detyruar të kthejnë mbrapsht shumë qytetarë, të cilët kërkojnë të bëjnë legalizimin e dokumenteve. Prej pak kohësh, çmimi i saj nga 200 lekë është rritur në 350 lekë. Shtypja e pullave bëhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, ndërkohë që burime zyrtare në kushtet e anonimatit, thanë se herën e fundit, pullat janë prodhuar në Zvicër. Mungesa e pullave të taksave është një fenomen që nuk po ndodh vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Vetëm pak ditë më parë, gjendja civile e Bashkisë së Fierit ka lajmëruar pezullimin e shpërndarjes se certifikatave. Bllokimi i këtij procesi ka shkaktuar shumë probleme, madje janë shënuar edhe raste me të sëmurë, të cilët duhet pajiseshin me vizë për kurim jashtë shtetit, siç ishte rasti i një fëmije që vuante nga një sëmundje e rëndë, dhe ata u detyruan të marrin një pullë nga një komunë e këtij rrethi për t'i lëshuar një certifikatë. Autoritetet lokale thanë, pak ditë më parë, se kishin njoftuar rreth një muaj më parë për mungesën e tyre, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Drejtuesit e degës së Tatim-Taksave të qytetit, të cilat janë përgjegjëse për shpërndarjen e tyre, thanë se kanë lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe përgjigja e tyre ka qenë që shumë shpejt do të dërgojnë një kontigjent me pulla. E njëjta situatë paraqitet edhe në Korçë. Mungesa e pullave është konfirmuar nga nënkryetari i bashkisë, Arjan Bejko. Ai ka paralajmëruar se mungesa e tyre vë në rrezik edhe pajisjen e qytetarëve me karta të identiteti. "Situata paraqitet mjaft serioze dhe ne u bëjmë thirrje instancave përkatëse të reagojnë. Kështu mund të shmangim problemet dhe radhët e shfaqura, ndërsa procesi i aplikimeve për kartat e identitetit vihet në rrezik të plotë. Në këto kushte, qytetarët nuk mund të aplikojnë, në rast se nuk kanë dokumentin e gjendjes civile",- deklaroi Bejko, pak ditë më parë, për gazetën.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›