Beja apel studentëve: Aplikoni për kartat e identitetit

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja u ka drejtuar sot një mesazh të gjithë studentëve të Shqipërisë për të aplikuar për kartat e identitetit, një dokument i konsideruar si garanci për zgjedhje të ndershme në 28 qershor, por edhe për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së. Përmes këtij mesazhi, Beja i ka ftuar studentët që së bashku me shoqatat e tyre dhe profesorët të punojnë që "deri në datën 1 maj të gjithë ata të rinj që nuk disponojnë pasaportë të kenë aplikuar për kartë identiteti". Sipas tij, çmimi prej 200 lekë, që vendosi qeveria për të gjithë këtë kategori e cila aplikon për ID deri në 1 maj, e lehtëson shpejtësinë e veprimit. "Me këtë akt qytetar, ne hapim edhe një portë tjetër drejt integrimit në Bashkimin Evropian, misionarë elitarë të të cilit janë studentët", vijon mesazhi i ministrit, duke nënvizuar se "ne besojmë shumë tek studentët dhe angazhimi tyre, pasi ata janë fytyra evropiane e kombit". Për ministrin e Arsimit, "aplikimi për kartat e identitetit do të ishte mesazhi i qytetarit të emancipuar që e do shoqërinë të vendosur fort në dokument, ligj e rregull". Duke iu drejtuar studentëve të gjithë universiteteve në vend, ai cilëson se "me antarësimin në NATO dhe aspiratën për hyrë në BE, ju jeni brezi i shqiptarëve që do të jeni qytetarë komunitarë dhe do të mishëroni identitetin tonë shqiptar në familjen evropiane". Beja ka vlerësuar edhe thirrjen e Këshillit Kombëtar Studentor në website-in e tij dhe në Facebook për të sensibilizuar studentët që të bashkohem me këtë nismë, që synon të shpejtojë lëvizjen, liberalizimin e vizave, integrimin, progresin dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare.