E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zonë të lirë për investimet kineze

05/08/2011  Investimet, kreu i ekzekutivit takim me ministrin e Jashtëm të Kinës Yang Jiechi

Krijimi i lehtësive për investimet e biznesmenëve si në Kinë, ashtu dhe në Shqipëri ishte një ndër çështjet kryesore të takimit mes kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës Yang Jiechi. Përmes njoftimit për shtyp të bërë publik nga zyra e informacionit pranë Kryeministrisë vlerësohet fakti se në bisedën mes kreut të ekzekutivit dhe ministrit kinez veç mbështetjet që kanë dhënë dhe do të japin këto dy shtete për investime u diskutua dhe për zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë. Dy bashkëbiseduesit dhanë mbështetjen e tyre për një zgjidhje të bazuar në rezolutat e OKB-së. Njëkohësit në këtë takim kryeministri Berisha çmoi se zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Kinës e ka bërë atë jo vetëm një nga aktorët më kryesorë të ekonomisë botërore, por ka ndihmuar që të dalin nga varfëria qindra milionë njerëz në Kinë dhe në mbarë botën. Gjithashtu gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit ilustroi potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në një sërë fushash me interes për investimet kineze. Madje, duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, kryeministri Berisha vuri në dukje se “qeveria është e gatshme të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze”. Për këtë arsye, kreu i ekzekutivit inkurajoi investime në infrastrukturën portuale. Nga ana e tij ministri Yang Jiechi nënvizoi se dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare.

Takimi me presidentin Topi

Kreu i shtetit, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me ministrin e Republikës Popullore të Kinës Jang Jiechi dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Sipas Presidentit Topi, kjo vizitë e nivelit të lartë është një tjetër tregues domethënës të marrëdhënieve tradicionale dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kinës. “Këto marrëdhënie shumë të mira reciproke dhe bashkëpunimi ndërshtetëror mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në të ardhmen, duke vënë në dukje se për këtë ekziston një klimë shumë e mirë dhe vullnet e angazhim konkret mes të dyja palëve”, - vlerësoi Presidenti Topi gjatë bisedës. Nga ana e tij ministri i Jashtëm i Kinës vlerësoi përparimin dhe arritjet ekonomike të Shqipërisë.

Topalli – Yang Jiechi

Në takimin me kryeparlamentaren Jozefina Topalli ministri i Jashtëm i Kinës, Yang Jiechi, vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Kinës dhe Shqipërisë, të cilat, sipas tij, janë një pasuri e çmuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik Gjithashtu ai theksoi se bashkëpunimi ndërparlamentar mes dy vendeve ka një rol të jashtëzakonshëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Kryetarja Topalli shprehu kënaqësinë që ecuria e shkëmbimeve ekonomike me Kinën ka një tendencë pozitive, që duhet të forcohet edhe më tej. “Marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të përkthehen në një bashkëpunim edhe më të fortë ekonomik. Marrëveshja e partneritetit strategjik e nënshkruar është një bazë reale për bashkëpunim, ashtu si marrëveshjet për heqjen e taksave apo mbrojtjen e investimeve”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›