E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër dhe Vlorë: Jug-veri jemi një, ndëshkoni me votë përçarësit

21 qershor VloraPartia Socialiste e ka mbyllur mbrëmë fushatën me një risi, duke qenë e pranishme në dy qytete simbolike: Shkodër dhe Vlorë.
Organizatorët kishin bërë të mundur transmetimin në të njëjtën kohë të të dy mitingjeve ndërkohë që kandidatët të cilët folën u drejtoheshin në të njëjtën kohë si pjesëmarrësve në mitingun e Shkodrës ashtu edhe atyre të Vlorës.
Shkodra
Fillimisht kryetari i PS-së, Edi Rama ishte në Shkodër ku e cilësoi këtë qytet si kryeqendrën e veriut ndërsa i ftoi të gjithë që të votojnë për Partinë Socialiste. Lideri i socialistëve u shpreh i lumtur që fushata zgjedhore përmbyllet në dy qendra të rëndësishme të vendit, të cilat i cilësoi si qytetet e krenarisë së shqiptarëve. Ai duke folur herë pas herë në dialektin shkodran i ka mëshuar faktit që kryeministri Berisha po synon të ndjellë përçarjen veri-jug. Dhe në këtë kuadër, Rama i ka ftuar shkodranët dhe vlonjatët që ta ndëshkojnë me votë atë që e quajti marrëzinë e përçarjes.
Vlora
Pasi mbaroi fjalën e tij në Shkodër, Rama u nis me helikopter drejt Vlorës. Në fjalimin e tij, Rama e cilësoi Vlorën si qytetin i cili do ti hapi rrugë projektit të rilindjes së vendit ndërsa premtoi se do ti sjellë kombit një shpirt të ri. Në 23 qershor do ti sjellë këtij kombi një shpirt të ri. Me fuqinë e jashtëzakonshme të votës së saj, me fuqinë supreme të autoritetit moral dhe kombëtar që Vlora e ka prej historisë. Ky qytet do ti hapë rrugë, bashkë me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, projektit të rilindjes, u shpreh Rama. Duke i ftuar vlonjatët të votojnë masivisht për PS-në në 23 qershor, Rama prezantoi disa prej pika kryesore të qeverisjes socialiste. Në 23 qershor, numri 29 nuk do të ndryshojë thjesht një qeveri me një tjetër, por do të ndryshojë rrugën e jetës të atyre që jetojnë në fshat, sepse 29-ta ky numër i bekuar i çlirimit do ti çlirojë gratë dhe burrat që jetojnë me tokën, nga barra e papërballueshme e kostove të prodhimit. Vota për PS-në dhe për numrin 29 është një shenjë që vlen sa certifikata e tokës. Duke vënë shenjën tek 29 do të firmosin letrat e legalizimit falas, me të gjitha shpenzimet që do të përballohen nga shteti i rilindur i shqiptarëve. 23 qershori do të jetë e dita e çlirimit të sipërmarrësve të mëdhenj nga babëzia e madhe e të korruptuarve që i janë qepur sipërmarrjes për ta zhvatur deri në qindarkën e fundit, deklaroi Edi Rama.

Gramoz Ruçi
Përshëndetje Vlora e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Edhe dy ditë na ndajnë për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Kush e la Shqipërinë me një shtet jo në shërbimit të qytetarëve por të pushtetarëve. Kush Shqipërinë e la për 8 vjet më të papunë. Kush i la shqiptarët më të varfër 8 vjet, kush Vlorën donte ta linte pa festën e 100-vjetorit të pavarësisë. Kush Shqipërinë e la jashtë dyerve të Evropës? Kush Shqipërinë e rendit si vendin më të korruptuar të Evropës? Kush vrau 26 veta në Gërdec? Kush vrau katër socialistë? Që tju japim përgjigje ka vetëm një minutë. Ditën e diel çdo shqiptar që do tu japë përgjigje këtyre pyetjeve le të vijë të marrë pjesë në votime. Ejani në votime për të hequr këtë sundimtar.

Rama citon Fishtën
Era e Rilindjes sjell me vete në këtë shesh, këtu në Shkodër, të mbushur me ëndrra dhe shpresa fjalët e At Gjergj Fishtës së pavdekshëm për me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakcilleku, rena, trathtija; duhet ndere, dije, urti, burni: qe se shka duhet.

Rama kujton gjyshen shkodrane
Këtu në Shkodër lindi gjyshja që i dha fëmijërisë sime jehonën e kambanave të kishës dhe aromën e librave të shenjtë, ndërsa në Vlorë lindi nëna ime që më mësoi se nderi dhe dija janë më të vyera se dhelpnia dhe batakçillëku. Këtu në Shkodër, unë përjetova fare i ri si dëshmitar rilindjen e fesë në varrezat e Rremajit, ku i ndjeri Don Simon Jubani, rebeli i pavdekshëm anti-komunist i burgjeve të diktaturës dha meshën e parë mes të gjallëve, të vdekurve dhe statujave të shpuara nga plumbat e ushtarëve të Enverit teksa regjimi i vjetër vëzhgonte rreth e rrotull mureve.

Majko flet labçe në Shkodër: I
ka vdekur nëna që do të fitojmë
Nga Shkodra Pandeli Majko u shpreh i bindur për fitoren e socialistëve më 23 qershor. Nëna Vlorë të ta them labçe, i ka vdekur nëna do fitojmë. Sot për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, shqiptarët e Vlorës dhe të Shkodrës kënduan bashkë himnin e shqiptarëve. Jemi të gjithë këtu në një besëlidhje të madhe sepse duam ndryshimin, duam të ngremë flamurin e ndryshimit- deklaroi Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›