E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zoti nuk pranon kurban nga UFO-t

08/11/2011  Grupi parlamentar i PD, kryeministri komenton kongresin e PS-së

“Edhe vitin që vjen Shqipëria do të listohet në vendet me rritje pagash”

Duke iu referuar deklaratës një ditë më parë të kryeparlamentares Topalli, cila e cilësoi “kongres-kurban”, kryeministri Berisha tha se Zoti nuk pranon kurban nga UFO-t. Në këtë mënyrë ai ka komentuar kongresin e Partisë Socialiste, dhe librin e kryetarit të saj Edi Rama, i cili pritet të dalë këtë javë “Ajo që mund të thuhet për kongresin është se autobusi po ecën para drejt etërve. Unë dua t’i garantoj se nuk do të ketë në atë drejtim as etër, as bij, sepse shqiptarët janë ndarë me atë kohë. Topalli e cilësoi kongresin si kurban-kongresi. Kurbanin dhe çdo gjë duhet ta pranojë i plotfuqishmi. T’i mund të ofrosh kurban, por a ta pranon Zoti? Po nuk u pranua, të shkon kot. Por UFO-t janë të përjashtuar nga Zoti”, - deklaroi shefi i qeverisë. Kontrolli i borxhit, rritja e pensioneve dhe rrogave, infrastruktura rrugore janë disa nga prioritetet e politikës së qeverisë “Berisha” edhe për vitin e ardhshëm buxhetor. Duke folur për buxhetin e vitit 2012, i cili pritet të miratohet në mesin e muajit dhjetor, kryeministri e vuri theksin te garantimi i stabilitetit makroekonomik dhe e biznesmenëve për mosarritjen e taksave. Kreu i qeverisë e ricilësoi si buxhetin më të madh që qeveria shqiptare ka paraqitur në parlament dhe ka votuar deri më sot, ku kujdesi kryesor i qeverisë ka qenë respektimi i përparësive të mazhorancës si dhe mbështetja e fuqishme e politikave të shpallura nga kjo mazhorancë. “Edhe vitin që vjen Shqipëria do të listohet në më të paktat vende që do të rritin rrogat dhe pensionet. Nga vjet e deri sivjet fatura e pensioneve rritet me 80 milionë dollarë. Domethënë 80 milionë dollarë nga ky buxhet më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kontraktimit të rritjeve të mëparshme, do të kalojnë në fondin e pensioneve, fond i cili është mbidyfishuar gjatë këtyre viteve. Po kështu rritja e rrogave. Për shkak të funksionimit të ekonomisë sonë, ne kemi sërish mundësi vitin e ardhshëm të rritim rrogat, e ne do t’i rritim ato”, - tha kryeministri. Duke iu referuar modelit ekonomik që ndjek qeveria e tij, Berisha tha prerë se nuk ka dhe nuk do të ketë as edhe një rritje të vetme të taksave.

Infrastruktura

“Fondet që do të mblidhen nga privatizimi nuk janë parashikuar në buxhet, sepse kemi vendosur që, sapo ato të realizohen, t’i sjellim në parlament për destinacionin e tyre. Çdo rrugë e re është një arterie e energjisë së tregut. Çdo rrugë e re është një pasaportë besimi të madh te banorët e tij, në fshatin, komunën apo vendin ku jetojnë. Është një ndryshim i madh psikologjik.” U shpreh kryeministri përpara deputetwve tw grupit parlamentar tw maxhorancws

Infrastruktura

Infrastruktura sjell çlirimin e energjisë së tregut, e cila vërshon në të katër anët. Kështu që unë besoj se këtë përparësi, ne e kemi përcaktuar shumë qartë dhe shumë drejt dhe duhet t’i qëndrojmë kësaj me çdo çmim, deri në fund. Do të investohen 1.5 miliardë euro që duhen për të finalizuar infrastrukturën më moderne të këtij vendi, pasi shumicën e kemi përfunduar. Ne nuk braktisim asnjë fshat, asnjë komunë të Shqipërisë, por do t’i japim asaj infrastrukturën më moderne.

Vizita e studentëve kanadezë

Berisha prezanton arritjet dhe prioritetet e vendit

Kryeministri Berisha priti dje një grup studentesh nga universiteti i Torontos (Kanada), të cilët udhëhiqeshin nga Robert Austin, profesor i këtij universiteti, studiues i gjuhës shqipe, i cili ka botuar një sërë artikujsh mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Studentët kanë ardhur në Shqipëri me interesin për të njohur zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në territoret e banuara nga shqiptarët. Takimi i tyre me kryeministrin Berisha u zhvillua në kuadrin e programit të vizitës së tyre në vendin tonë, vizitë e cila do të vijojë më pas në Kosovë e Maqedoni. Kryeministri bëri një prezantim të arritjeve më të rëndësishme dhe më domethënëse të Shqipërisë në këta 20 vjetët e fundit, ku renditi: përmbysjen e diktaturës, vendosjen në Shqipëri për herë të parë të sistemit demokratik, prezantimin dhe konsolidimin e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pavarësinë e Kosovës, reformat ekonomike të gjithanshme. Këto të fundit, sipas Berishës, mundësuan që liria ekonomike të shtrihet me hapa të shpejtë në të gjithë sektorët dhe vendi të shënojë një rritje të ndjeshme ekonomike edhe në këta tre vjet të krizës globale botërore, me një rritje prej 300% të eksporteve, si dhe të investimeve të huaja direkte.

PD reagon ndaj deklaratës kreut të PS

“Rama të mos vijojë praktikën e bllokimit”

Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënëses Albana Mustafaraj ka reaguar pas deklaratës së kryesocialistit Rama lidhur me diskutimin e projekteve që kërkojnë 3/5-at e votave, duke e ftuar atë të mos vijojë me praktikën e bllokimit. Deklarata e tij e sotme dëshmon se ajo ç’ka ai foli të shtunën ishte vetëm axhenda e mbijetesës së tij personale dhe politike dhe aspak angazhimi i forcës së tij politike për procesin e integrimit të vendit. Ai sot në fjalën e tij në grupin parlamentar nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn të përdorë mosvotimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në Kuvend për të bllokuar statusin e kandidatit. Këto ligje të standardeve më të mira sipas ekspertëve ndërkombëtarë kanë mbi 2 vjet që nuk votohen nga opozita në Kuvend, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor kundër tyre. Partia Demokratike fton zotin Rama që të lërë mënjanë axhendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e grupit të tij parlamentar dhe t’i lejojë deputetët e PS-së të votojnë për këto ligje, që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit. Partia Demokratike është e përkushtuar jo me fjalë, por me vepra konkrete, rritje rrogash dhe pensionesh, krijim të vendeve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimeve e spitaleve” - tha zëdhënësja Mustafaraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›