E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS përplasen në Kuvend për shërbimin e urgjencave

08/11/2011  Seanca e djeshme dëgjimore me ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili

Seanca e djeshme dëgjimore me ministrin Shëndetësisë Petrit Vasili në lidhje me shërbimin e urgjencave në vend u shndërrua në arenë debati dhe akuzash mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Shkak i këtij debati u bënë deklaratat e ministrit Vasili, i cili e cilësoi shërbimin e urgjencave në Shqipëri si një nga më modernët. Por për deputetët socialistë ky shërbim është katastrofal. “Shërbimi i urgjencave është katastrofal, dhe kjo duke iu referuar rastit së vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ku ambulancat kanë shkuar në vendngjarje me 45 minuta vonesë pasi ishin njoftuar për ngjarjen. Dhe ky është shembulli më i mirë për të kuptuar se si funksionon ky shërbim, i cili lë shumë për të dëshiruar”, - deklaruan deputetët socialist. Kundërpërgjigjja nuk ka ardhur nga vetë ministri Vasili, por nga deputeti i PD-së Flamur Noka. “Më duket se vendimi më i fundit i dalë nga kongresi i së dielës është që të përbaltni punën e bërë nga qeveria dhe ministria gjatë këtyre viteve. Pasi në kohën kur ishit ju në pushtet, spitalet e Shqipërisë ngjasonin me mejhane kolektive”, - tha Noka.

Në seancën e djeshme dëgjimore ministri Vasili vuri në pah prioritetet e qeverisë shqiptare në lidhje me përmirësimin e shërbimit të urgjencave në vend. “Do të përmirësojmë më shumë shërbimin e urgjencës spitalore dhe ambulatore, ku do të vëmë në dispozicion 200 automjete të reja për urgjencën. 20 për qind e shërbimit të urgjencave spitalore dhe ambulatore janë të pajisura me aparatura. Do të realizojmë strategjinë kombëtare të shërbimit të urgjencës”, - përfundoi Vasili.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›