E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici i Bashkisë Fier: Nuk kemi organikë, mungon logjistika

08/11/2011  Policia Bashkiake e Fierit e pafuqishme për disiplinimin e qarkullimit të mjeteve

FIER- Policia Bashkiake e Fierit ndihet e pafuqishme për zbatimin e kompetencave që i jep pika C e nenit 12 të Kodit të Qarkullimit Rrugor 12 për kontrollin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve për parkimet e gabuara të automjeteve në rrugët e qytetit të Fierit, dhe kjo gjë për shkak të mungesës së akteve normative ligjore dhe vendimeve të posaçme të qeverisë për zbatimin e tij. Shefi i Policisë Bashkiake të Fierit, Bashkim Ymeraj, ka qartësuar se zbatimi i këtij ligji kërkon shtesë të organikës për rritjen e numrit të efektivave, pasi numri aktual është i pamjaftueshëm për të kontrolluar të gjitha rrugët e qytetit, si dhe investime të konsiderueshme për pajisjet e logjistikës, të cilat sipas tij mungon totalisht. Edhe më të vështirë veprimtarinë e kësaj policie e ka bërë mungesa e fondeve, për blerjen e automjeteve, të cilat jo pak herë kanë nxjerrë zbuluar punën e uniformave të Policisë Bashkiake. Rreth 110 gjoba janë vendosur gjatë periudhës 3-mujore, periudhë kohore që Policia Bashkiake e Fierit ka nisur zbatimin e kompetencave që i jep ligji i Kodit të Qarkullimit Rrugor, për drejtuesit e automjeteve që kanë kryer kundërvajtje në 13 rastet e parashikuara të këtij ligji. Kryepolici i Bashkisë së Fierit, Baskim Ymeraj, ka pohuar se numri i ulët i gjobave, përafërsisht një për çdo ditë ka ardhur edhe për fakte të tjera problemore për punën e tij, si mungesës së mjediseve për bllokimin e automjeteve, pajisjeve transportuese të makinave të bllokuara etj. Tarifat e larta të gjobave për kundërvajtjet e parkimeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak, të cilat shkojnë nga 2000 lekë deri në 4000 lekë, sipas llojit të shkeljes së ligjit, janë katër herë më të larta se penalitetet e Policisë së Qarkullimit Rrugor për të njëjtën kundërvajtje, gjë që sipas numrit një të policëve bashkiak krijon përplasje me drejtuesit e automjeteve të penalizuar nga kjo polici. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›