E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja akustike, çdo ditë në spital 10 pacientë

08/11/2011  Fieri qyteti i tretë në vend më i ndotur, banorët me probleme në zemër, tru dhe në dëgjim

FIER- Niveli i lartë i ndotjes akustike në qytetin e Fierit ka krijuar probleme shëndetësore, stres dhe ankth te qytetarët fierakë”. Zhurmat në mjediset e jashtme të krijuara nga qarkullimi i automjeteve në rrugët e qytetit, veprimtaria e firmave të ndërtimit, e ndërmarrjeve industriale, gjeneratorët zhurmave të lokaleve dhe pub-eve etj, të cilat janë mbi 80 decibel, e thënë ndryshe mbi normën e lejuar rreth 60 decibel e kanë renditur Fierin si qytetin e tretë me ndotje më të lartë akustike në Republikë pas Tiranës dhe Durrësit”, ka thënë mjeku otorino laringolog në poliklinikën qendrore të qytetit të Fierit, Kristaq Caci.

Ndikimi në shëndet

Mbështetur në shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mjeku specialist qartësoi se në zonat e klasifikuara nga OBSH më problematike ku vend të rëndësishëm zë Fieri një numër i konsiderueshëm qytetarësh vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, dëmtim të organit të dëgjimit, stresi etj. Megjithëse përpara dy vjetësh u miratua ligji i ndotjes akustike për moskalimin e normave të përcaktuara ka thënë mjeku i ORL-së në Fier gjatë ditës paraqiten me problem nga ndotja akustike rreth 10 qytetarë për ndihmë mjekësore nga të cilët 40% e tyre klasifikohen si pacient me trauma akustike që kanë nevojë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin rajonal. “Çdo ditë në repartin e otorinolaringologjisë si në Poliklinikën Qendrore, ashtu edhe në spitalin rajonal na vijnë pacientë të ekspozuar nga zhurmat, si për sa i përket profilit të punës, ashtu edhe zhurmave në qytet që për fat të keq sa vijnë e shtohen. Shumë prej tyre janë shtruar me problem serioze të të dëgjuarit, që çon deri në shurdhimin e plotë të tyre, por zhurmat sjellin edhe pasoja tepër negative në tru, duke shkaktuar stres, pagjumësi akute, depresion e deri në hemorragji cerebrale”,-ka thënë mjeku specialist Kristaq Caci. Në emër të humanizmit përfitoj nga rasti t’u bëj me dije gjithë përgjegjësve të zhurmave të forta në qytet, se janë të rrezikuar jo vetëm qytetarët, por edhe ata vet”. Nga ana e tyre qytetarët shprehen se rreziku ndaj ekspozimit të zhurmave në qytet është i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe shmangia është e pamundur. Sipas tyre, institucionet që e kanë për detyrë zgjidhjen e problemit nuk angazhohen. Në emër të humanizmit dhe jetës mjeku ka kërkuar zbatimin e ligjit nga institucionet, ndërmarrjet private dhe shtetërore të respektojnë parametrat dhe normat e përcaktuara për të ruajtur qytetarët nga pasojat e ndotjes akustike, pasojat e të cilave janë rrezik serioz jo vetëm për sëmundshmërinë e organeve të trupit, por edhe për jetën e njerëzve të ekspozuar vazhdimisht ndaj ndotjes akustike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›