E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha “afron"Kserën dhe Bollanon

Takimet Kryeministri shfaqet me dy rivalet në Jalë dhe Livadhë

Kryeministri Sali Berisha “bashkon” kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, me ministrin e qeverisë së tij, Spiro Kserën. Shiritin e përurimit të rrugës në Livadhë, kreu i qeverisë e ka prerë me Vasil Bollanon, ndërsa shiritin e përurimit të rrugës në plazhin e Jalit e ka prerë me ministrin e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Kserën. Pavarësisht se Bollano i përket spektrit opozitar, Kryeministri Berisha ka zgjedhur ta ketë afër vetes për të bërë një seri takimesh dhe përurimesh në Himarë. “Investimet në fushën e turizmit gjatë këtyre 5 viteve, janë mbi 30 herë më të mëdha, sesa 8 vitet e tjera të marra së bashku. Tani, ne jemi përqendruar në bregdet, në ultësirën bregdetare, por me një vëmendje po qëndrojmë drejt maleve”, tha Berisha gjatë përurimeve të bëra në Himarë.

Berisha, “thumba” opozitës

Kryeministrit nuk i ka mjaftuar të ketë pranë vetes një kryebashkiak të një force opozitare siç është Vasil Bollano, por ka preferuar të shkojë edhe më tej. Nga Himara në përurimin e dy rrugëve që të lidhin me detin, Kryeministri Berisha hodhi thumba edhe për opozitën. “Ky fshat ka pasur në të shkuarën tre anëtarë të Byrosë Politike, nipërit e tyre sot qeverisin Partinë Socialiste. Absolutisht, nuk i asfaltuan atij një kilometër rrugë dhe e lanë pa ujë 50 vjet. Për pushime vinin, por vinin në luksin e tyre dhe nuk mendonin aspak për bashkëfshatarët e tyre të mrekullueshëm, të cilët meritonin të gjithë infrastrukturën. Ne po investojmë në këtë bashki gjerësisht, në mënyrë që të harmonizohet bukuria natyrore përrallore, shpirti fisnik dhe punëtor i këtyre njerëzve, me infrastrukturën europiane që këta meritojnë”, tha Berisha. Duke premtuar se qeveria e tij, do t’ua heq bucelën me ujë nënave dhe grave nga shpina në Himarë, ndërkohë që Durrësi vuan nga mungesa e ujit, kreu i qeverisë përshkallëzoi batutat ndaj opozitës. “Duke ardhur këtu, më lindi ideja që rrugën e Palasës, zoti Bollano ta inaugurosh me zotin Paskal Milo. Zoti Milo të marrë lidershipin e opozitës e ta sjellë në Palasë, të vijë në Vuno të shohë edhe dajot e tij, se 8 vjet nuk lëvizën as 8 gurë dhe tani, nga mëngjesi deri në darkë, mohojnë, mohojnë dhe vetëm mohojnë. Pasi të kthehen nga Makao dhe Los Anxhelos, pasi i kanë shumë qejf kazinotë, të zbresin në Palasë, edhe pse nuk ka kazino, por ka rrugë shumë të bukur dhe një nga peizazhet më të bukura të Europës”, tha Berisha.

Investimet

Pas investimeve në bregdet, qeveria do të përqendrojë vëmendjen e saj edhe drejt maleve. “Tani, ne jemi përqendruar në bregdet, në ultësirën bregdetare, por me një vëmendje po qëndrojmë drejt maleve. Ne nuk do t’i braktisim ato kurrë. Sepse në male, ne ruajtëm ekzistencën tonë, bukuritë e tyre janë mahnitëse. Ne po ecim me rrugë, me infrastrukturë në drejtim të të gjitha maleve të vendit, drejt çajupit, drejt Tomorit, Voskopojës, Prespës, Bjeshkëve të Nemuna, Thethit, Bogës, Razmës, Lurës, Kalasë së Dodës, Shishtavecit, Korabit”, theksoi Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›