E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Daullet e qeverisë fshehin dështimin

PS u përgjigjet deklaratave të Kryeministrit

Sukseset dhe premtimet e trumbetuara të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me zhvillimin e turizmit, shpërfillin dhe fshehin një realitet të hidhur social dhe ekonomik. Partia Socialiste ka deklaruar dje përmes numrit dy të Grupit Parlamentar, Sajmir Tahiri se situata e pronësisë në bregdet përgënjeshtron parajsën e imagjinuar të kreut të qeverisë, i cili ka liberalizuar të gjithë kufijtë e premtimit politik. “Rrugën e bregdetit, Sali Berisha e gjeti të nisur dhe e mbaroi. Ndërkohë që njerëzve të bregut Kryeministri u detyrohet shumë shpjegime për pronat që u ka tjetërsuar qeveria e tij, që nga Orikumi deri në Butrint. Shqiptarët nuk gënjehen më në vitin 2010 me inaugurime për herë të tretë e të katërt, ndërkohë që ekonomia e tyre kombëtare e familjare kalon një krizë të thellë. Gjithsesi, ne e përgëzojmë Kryeministrin që e mësoi notin! Më mirë vonë se kurrë”, u shpreh Tahiri. Në të vërtetë problemi i pronësisë ka shpërthyer edhe dy ditë më parë në të njëjtën kohë kur Berisha riprodhonte sukseset nga konferenca e improvizuar në Kalanë e Himarës. Banorët e fshatit Dukat kanë bllokuar rrugën kombëtare pikërisht për arsye që lidhen me probleme të pronave, që mbeten që prej vitit 1991, apo që prej daljes në skenën politike të Sali Berishës, pika kritike e vetë sistemit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›