Berisha akuzon: Rama asfaltoi vetëm 12 kilometra rrugë
Edi Rama duhet të heqë syzet e dajës së tij, Spiro Kolekës, dhe të shikojë drejt investimet që po bën qeveria për të përmirësuar infrastrukturën në të gjithë vendin. Kjo ishte thirrja që i bëri dje Kryeministri Sali Berisha nga Kurbini, kryetarit të Partisë Socialiste, njëkohësisht kryebashkiakut Edi Rama, teksa përuroi rikonstruksionin e plotë të rrugës Autostradë-Plazh Patok. Sipas Berishës, kryetari i Komunës së Patokut, nëpërmjet fondeve të qeverisë, ka arritur të ndërtojë 2,2 herë më shumë se çka ndërtuar kryetari i Bashkisë së Tiranës në kryeqytetin e vendit. Kryeministri theksoi se neglizhenca e kryebashkiakut vjen sepse ai është i përqendruar te fitimet e një kupole të thjeshtë dhe jo te përmirësimi i jetës së qytetarëve. “Edi Rama ka asfaltuar gjithsej 12 kilometra rrugë dhe ndaj dua t’i them atij ‘hiqi gjyzlykët e Spiro Kolekës, se edhe Fan Nolin kur e lexon, përdor gjyzlykët e dajës tënd’”, theksoi Berisha, duke i kujtuar Ramës se duhet të përdorte fondet që qeveria i kishte dhënë bashkisë që ai drejton. Sipas Berishës, ndryshimet në infrastrukturë dhe në zhvillimin e vendit i shohin shumë qartë qytetarët.
“Vetëm në Qarkun e Kurbinit kemi investuar këto katër vite, më shumë se 20 vite të marra së bashku dhe unë ju garantoj se në vitet që do të vijnë, do të jenë investime dhe më madhore”, premtoi Kryeministri. Në këtë kuadër, ai i ftoi të gjithë shqiptarët që të linin mënjanë ndasitë politike dhe të ecin përpara me besimin se Shqipëria është sot më afër se kurrë Europës. “Ndaj të dashur qytetarë dhe qytetare, le të vazhdojmë së bashku, pavarësisht bindjeve politike. Sot shqiptarët janë anëtarë të NATO-s. Sot ata janë më të sigurt se kurrë se do të lëvizin të lirë në mbarë Europën”, deklaroi kreu i qeverisë në një takim me banorët e komunave të Kurbinit. Në këtë kuadër Berisha theksoi se, pavarësisht ngritjes së çadrave të grevës gjatë kësaj periudhe kur Shqipëria kërkon integrim, Edi Rama nuk do të arrijë të ndalë zhvillimin e vendit. Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria e mbajti premtimin për ta kthyer Shqipërinë nga deti, duke asfaltuar të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet.
“Sot, shpreh kënaqësinë se përurojmë së bashku rikonstruksionin e plotë të rrugës që lidh këtë zonë, lidh Mamurrasin dhe plazhin e bukur të Patokut, pra dhe një premtim tjetër në ngarkimet e mëdha të kësaj qeverie që brenda vitit 2010, çdo rrugë që zbret drejt detit, nga derdhja e Bunës te Kepi i Stillos do të asfaltohet”, deklaroi Berisha. Po kështu Kryeministri garantoi banorët e kësaj zone se qeveria do të vijojë ndërtimin e rrugëve, të ujësjellësve, kanalizimeve, do të vazhdojë të mbështesë fermerin shqiptar kudo që ai të jetë. Sipas Berishës, me këto investime Shqipëria do të bëhet një nga vendet më të bukura dhe më të frekuentuara në Mesdhe.
#