E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetësori i BE, qeveria dorëzon në Bruksel më 10 qershor përgjigjet shtesë

Integrimi Ministrja e Integrimit, Bregu, do të dorëzojë materialin

Administrata shqiptare ka përfunduar kthimin e përgjigjeve edhe për 180 pyetjet shtesë, të cilat erdhën pak ditë më parë nga Komisioni Europian. Kjo ndërmarrje kryhet në kuadër të plotësimit të pyetësorit të Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se në mesin e javës, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pritet të udhëtojë drejt Brukselit, për të dorëzuar edhe pjesën e dytë të pyetjeve që në mesin e muajit maj erdhën nga Komisioni Europian. Punonjësit e administratës janë detyruar të punojnë jashtë orarit zyrtar të punës për të arritur që, në një kohë rekord prej një muaji, përgjigjet e 180 pyetjeve të shkojnë në Bruksel brenda datës 10 qershor.

Afatet

Fundjavën e kaluar, të gjitha ministritë, agjencitë dhe institucionet e tjera shtetërore kanë mbyllur punën për sa i përket kthimit të përgjigjeve të ardhura nga KE për pyetjet shtesë. Ditët e para të kësaj jave janë rezervuar nga ministrja e Integrimit për të bërë edhe seleksionimin përfundimtar të përgjigjeve dhe po kështu, për të korrigjuar edhe gabimet e mundshme të përkthimit, përpara se materiali zyrtar të shkojë në zyrat e Brukselit. Kryeministri Berisha, me prezantimin e pyetjeve shtesë për pyetësorin e Shqipërisë, vendosi si afat datën 10 qershor, për dorëzimin e këtij dokumenti në Bruksel. Kjo ka bërë që administrata, në një kohë të shkurtër, të kthejë përgjigjet e 180 pyetjeve, të cilat bashkë me nënpyetjet dhe sqarimet shkojnë në 480 çështje. Pas dorëzimit të materialit në Bruksel nga ministrja e Integrimit, pritet edhe ardhja në Shqipëri e nëntë misioneve të ekspertëve, të cilët do të shohin nga afër mënyrën e funksionimit të institucioneve shqiptare dhe problematikat për të cilat janë kërkuar sqarime në pyetësor. Mes pyetjeve teknike, të cilat kanë qenë kryesisht të shpërndara në Ministrinë e Financave, atë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, pala shqiptare ka dërguar edhe shpjegime për sa i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare. Kriza politike në vend dhe debatet mes mazhorancës dhe opozitës të eksportuara edhe në Bruksel e Strasburg, kanë sjellë nevojën e sqarimit të palës europiane për zhvillimet e brendshme në vend.

Procedurat

Ministria e Integrimit ka përdorur të njëjtat procedura dhe ka koordinuar në të njëjtën mënyrë procesin e kthimit të përgjigjeve për pyetjet e KE-së. Punën duket se e ka lehtësuar së tepërmi edhe ngritja e faqes së internetit për të koordinuar kthimin e përgjigjeve mes ministrive dhe grupit qendror të punës, në formën e një portali, i cili nuk vërehet online për përdoruesit e thjeshtë. Duke përdorur këtë formë komunikimi, informacioni nga ministritë në qendër ka arritur të jetë konspirativ dhe i shpejtë. Nga ana tjetër, ashtu si edhe më parë, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe formulimit konciz të përgjigjes larg asaj që Kryeministri Berisha e ka quajtur “shto ujë e shto miell”. Po kështu, procesi i përkthimit është konsideruar si tepër i rëndësishëm në mënyrë që “anglishtja shqiptare” të ishte afër asaj të Brukselit. Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat pranë BE-së në fundin e këtij viti, të paktën ashtu siç është deklaruar nga pala e qeverisë. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dorëzoi pyetësorin e plotësuar me përgjigjet një vit pas aplikimit për statusin kandidat. Në mes të muajit prill ai zhvilloi një vizitë në Bruksel, ku kreu një takim me komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në BE, Stefan Fule. Sakaq, Komisioni Europian nuk ka përcaktuar një afat standard për dhënien e opinionit për kandidaturën e Shqipërisë. Komisioneri Fule vlerësoi se përgjigjja do të varet nga cilësia e pyetësorit që ka plotësuar Shqipëria. “Koha kur do të jepet opinioni do të varet shumë nga cilësia dhe nga informacionet që kemi marrë, mbështetur në këtë opinion të komisionit. Pastaj është Këshilli që do të vendosë për hapat e tjerë”, tha Fule. Ai shtoi më tej se KE do të bëjë konsultime në këtë proces, për të marrë mendime të tjera. Nisur nga përvoja me vendet e tjera, statusi kandidat ka vonuar deri 18 muaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›