Berisha akuzon gjyqtaren Irena Gjoka për falsifikim vize dhe mosdeklarim të ekspulsit nga Greqia

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar gjyqtaren Irena Gjoka për falsifikimin e vizës dhe mosdeklarimin e një ekspulsi të vendosur ndaj saj nga autoritetet greke. Sipas Berishës, ky akt është një krim, duke theksuar se Gjoka nuk e ka deklaruar këtë ngjarje në formularin e dekriminalizimit, siç kërkohet nga ligji shqiptar.
“Fytyra e reformës në drejtësi, ikona e kësaj reforme është Irena Maneku Gjoka Spata. Një kriminele e dënuar nga drejtësia greke për falsifikim të vizës dhe që ka fshehur vendimin. Ky veprim e ndalon atë të ushtrojë funksionin si magjistrate sipas ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë,” deklaroi Berisha.
Ai paraqiti një dokument origjinal të lëshuar nga Drejtoria e Policisë së Greqisë, i cili vërteton ekspulsin e gjyqtares nga territori grek, për shkak të hyrjes me vizë të falsifikuar. Berisha shtoi se ky dokument po fshihet nga Altin Troplini, dhe se institucionet e drejtësisë, si KLGJ, SPAK dhe ILD, nuk po veprojnë ndaj këtij “krimi flagrant”.
Ky akuzë vjen në një periudhë të tensionuar për reformën në drejtësi, ku opozita vazhdon të kritikojë institucionet për mos veprim dhe për lidhje të mundshme me individë që, sipas saj, janë të lidhur me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.