E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-ambasadorit iranian: Strehimi i muxhahedinëve, qëndrim humanitar

TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadorin e ri të Iranit në vendin tonë, z. A. Majid Mozafari, të cilit i uroi suksese në detyrë. Ambasadori i Iranit, z. A.Majid Mozafari, duke e falenderuar kryeministrin Berisha për pritjen, kërkoi mbështetjen e tij për çuarjen më përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke ditur, siç theksoi ai, rolin e madh që kryeministri Berisha do të ketë në jetën e vendit edhe më gjerë. Ai u shpreh se Irani nuk do të kishte dashur që Shqipëria të ishte vendi i parë i strehimit të individëve të grupit MEK(Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodheshin në kampin “Liria” në Irak.

Kryeministri Berisha i tha ambasadorit iranian se ky vendim ka të bëjë me një qëndrim tërësisht humanitar të qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha e siguroi se nga territori i Shqipërisë nuk do të mundet të ndërmerret qoftë edhe një veprim në drejtim të Iranit nga askush dhe së dyti, cilido prej të strehuarve, që do të ketë garancinë e plotë të autoriteteve Iraniane dhe dëshiron të kthehet në vendin e tij, nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet shqiptare.

Ne jemi të përkushtuar, tha kryeministri Berisha, t’u krijojmë atyre të gjitha kushtet për një jetë të lirë dhe të mirë në këtë vend, ndërsa ritheksoi se ky akt nuk ka të bëjë më asgjë tjetër veç qëllimit humanitar.

Kryeministri Berisha tha se ishte plotësisht i vetëdijshëm në potencialin e madh që ekziston mes marrëdhënieve të Iranit dhe Shqipërisë, ndërsa uroi që Irani, në interesin më të mirë të tij, të zgjidhë me transparencë dhe bashkëpunim të besueshëm, siç edhe vendet e tjera e kanë zgjidhur, kundërshtitë për problemin e armëve bërthamore dhe të eci në rrugën e kooperimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha pret delegacionin e TAP: Ky projekt, arritja më e rëndësishme strategjike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›