E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bankave: Financoni investimet në energjetikë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 22-03-2011 15:04

Investitorët dhe bankat duhet të shohin më shumë leverdi investimet në prodhimin e energjisë në Shqipëri. Thirrjen e ka bërë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dje gjatë konferencës të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe IFC, me temë “Shqipëria është një vend me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme”. Ky vend derdh në det 6 herë më shumë ujëra sesa ka sipërfaqen e tij. Është vendi më malor në rajon, por i bekuar se malet e tij janë të pasura me ujë, theksoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, Shqipëria është vendi, ndoshta ndër të paktat në Europë, që mund të ecë e sigurt, si një Green Albania, pasi burimet e saj janë të panumërta, ndaj Kryeministri Berisha i drejtoi një apel të pranishmëve në këtë seminar, që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimin e projekteve në Shqipëri. “Unë ftoj gjithashtu bankat e mëdha, të ndjekin shembullin e IFC, të konsiderojnë seriozisht financimin e këtyre projekteve në sektorin privat, çka përbën një kontribut të madh të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, por dhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë. Shqipëria ka të gjitha kushtet, për t’u bërë, dhe Shqipëria do të bëhet, një superfuqi e vogël energjetike në rajon”, theksoi ai. Ai i garantoi investitorët se çdo investim i tyre në këtë fushë, do të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për vendin, por para së gjithash për ata dhe financimin e tyre, dhe u shpreh se qeveria është e vendosur të adaptojë sistemin ligjor më të mirë, për blerjen e energjisë së rinovueshme, si dhe t’i japë garancitë më të mëdha të mundshme, biznesit dhe investimeve. Qeveria me një ligj të miratuar 3 vjet më parë ka firmosur kontrata për ndërtimin e rreth 220 hidrocentraleve. Hidrocentrale të mesme dhe të mëdha në Shqipëri janë për t’u ndërtuar rreth 450, të vogla mund të jenë më mijëra. Sot në ndërtim janë rreth 36 hidrocentrale, por janë shumë të tjerë që presin financime. Qeveria është e vendosur, e gatshme të vendosë kuadrin ligjor më stimulues, më inkurajues për ndërtimin e tyre, tha Kryeministri.

Duke theksuar se, Shqipëria është vendi ndoshta ndër të paktat në Europë, me burimet më të mëdha ujore, Kryeministri Berisha i drejtoi një apel të pranishmëve në këtë seminar, që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimin e projekteve në Shqipëri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›