E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE dhe INSTAT, “humbin” 1 milion MWh nga eksporti

22/03/2011  Bilanci i Energjisë në 2010-ën. Shifra të ndryshme edhe për konsumin familjar

Rreth 1 milion megavat energji është diferenca mes shifrave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë dhe Instituti i Statistikave në lidhje me eksportet gjatë 2010-ës. INSTAT-i ka bërë publik dje raportin për “Bilancin e energjisë elektrike 2010”, në të cilin raportohet se eksporti i energjisë gjatë vitit të kaluar është 1,905,549 MWh, përfshirë këmbimet, ndërsa eksporti neto për 2010-ën 1,736,380 MWh. Të tjerë të dhëna ofrohen për këtë tregues nga raporti i ERE-s, i cili është bërë publik pak ditë më parë, gjatë raportimit të Kuvend nga ana e kreut Bujar Nepravishta.

Diferenca e eksportuar

Enti Rregullator i Energjisë argumenton se eksportet e energjisë janë bërë nga KESH-i gjatë 2010-ës, në tregun rajonal duke përfituar nga situata mjaft e mirë hidrike, për shkak të prurjeve të mëdha dhe transaksioneve fitimprurëse. Në të kundërt Instituti i Statistikave nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me eksportin, por të dhënat e ndryshme për zhvillimet në sektorin e eksportit të energjisë për 2010-ën janë paraqitur vetëm në tabelën përmbledhëse. Diferenca e këtij gabimi është tepër e madhe, rreth 1 milion megavat energji. Në total sipas raportit të ERE-s nga kjo shitje e energjisë është përfituar një shumë prej 16,4 miliardë lekësh, ose 119 milionë eurosh. Por nëse shifra do të ishte sipas INSTAT-it vetëm rreth 1,9 milionë megavat energji, atëherë edhe shifra e përfituar nga shitja do të ishte më pak se 8 miliardë lekë.

Konsumi familjar

ERE dhe INSTAT japin shifra të ndryshme edhe sa i përket konsumit familjar të energjisë. Në raportin e rregullatorit të energjisë raportohet se konsumi familjar i energjisë është më i ulët, në krahasim me shifrën e INSTAT-it. “Në vendin tonë konsumi familjar ndaj konsumit të përgjithshëm të faturuar edhe për vitin 2010 përbën 54,9 për qind çka tregon një ekonomi me zhvillim industrial të kufizuar”, - thekson raporti i ERE-s. Ndërsa instituti i statistikave jep një tjetër tablo. “Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 6.8 për qind. Ky sektor ka konsumuar 56.2 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final”, - thekson Bilanci i Energjisë publikuar nga INSTAT-i. Dallimi shkon edhe më tej ndërsa INSTAT-i konsideron se ka një rritje të konsumit, ndërsa sipas ERE-s konsumi i energjisë është ulur prej vitit 2007. “Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2010 është rritur 7.1 për qind krahasuar me vitin 2009. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.606 GWh dhe përbën 52.8 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 6.8 për qind”, - thekson raporti i INSTAT-it. Ndërsa sipas ERE-s të dhënat tregojnë të kundërtën. “Tendenca e zvogëlimit të konsumit familjar ndaj konsumit të përgjithshëm pas vitit 2007 është një prirje pozitive, e cila lidhet përveç zvogëlimit të humbjeve të energjisë elektrike edhe me zhvillimin ekonomik të vendit”, - thekson raporti i ERE-s. Mbetet i paqartë fakti nëse këto gabime janë thjesht ngatërresa apo INSTAT-i ka bërë e do të bëjë gabime të tjera gjatë llogaritjeve të shifrave të eksportit të energjisë dhe ecurisë së ekonomisë vendase për 2010-ën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›