E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Humbjet e energjisë u ulen me 6.9 %

Humbjet në rrjet janë ulur 6.9 për qind, në krahasim me vitin 2009. Sasia e humbjeve totale është 2,167 GWh dhe ato përbëjnë 24.9 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim, bëri të ditur dje INSTAT, gjatë publikimit të bilancit të energjisë për vitin 2010. Humbjet në shpërndarje janë ulur 9.7 për qind. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet, me 88.2 për qind. Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2010 është rritur 7.1 për qind, krahasuar me vitin 2009. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.606 GWh dhe përbën 52.8 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur 6.8 për qind. Ky sektor ka konsumuar 56.2 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike, të konsumuar nga përdoruesit e tjerë, është rritur 7.5 për qind, krahasuar me vitin 2009. Burimet e energjisë elektrike në vitin 2010 u rritën 21.2 për qind, krahasuar me vitin 2009. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 8,719 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 47.5 për qind, krahasuar me vitin 2009. Sasia totale e prodhuar është 7,715 GWh dhe përbën 88.5 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Në vitin 2010, burimi i vetëm i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale. Rritja e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 47 për qind, krahasuar me vitin 2009, ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e prodhimit total të energjisë. Rritje të ndjeshme pati dhe prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion, me 78.1 për qind, krahasuar me vitin 2009, e cila përbën 2.1 për qind të prodhimit në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›